Kosova

Vështirësitë që presin Kurtin dhe Osmanin

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë morën një kthesë të papritur pasi pretendentit kryesor të garës zgjedhore, Albin Kurtit, iu ndalua kandidimi. Vetëvendosje, e cila parashikohet të dalë sipas sondazheve partia e parë në këto zgjedhje të parakohshme, ashtu si në vitin 2019, përfaqësohet tanimë nga Vjosa Osmani, e cila ishte e dyta në listë pas ish-kryeministrit. Vendimi i KQZ për të ndaluar Kurtin të kandidojë për shkak të dënimeve pas hedhjes së  gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovën e ka vënë Vetvendosjen në pozicionin më delikat që nga krijimi i kësaj partie, duke u udhëhequr nga kundërshtarja  politike e zgjedhjeve të kaluara.

Analistët në Kosovë thonë se Kurti ishte i vetëdijshëm se do të “përjashtohej” nga KQZ-ja, por prapë e vuri emrin të parin në listë, në përpjekje për të mos humbur pikë në sytë e publikut. Vetëvendosje nuk ka pranuar ende ta heqë emrin e tij nga lista, duke bërë që KQZ të mos certifikojë listën e kandidatëve të kësaj partie. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Nisma dhe AAK-ja , të cilat po ashtu nuk kanë pranuar të fshinë emrat e kandidatëve të dënuar nga lista.

Albin Kurti e dinte se nuk mund  të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë si deputet, megjithatë kjo nuk e pengon atë të zgjidhet kryeministër. Si fitues i zgjedhjeve, Kurti mund të ulet në karrigen e kryeministrit edhe pse nuk mund të kandidojë nën siglën e Vetëvendosjes. Ajo që do të “përfaqësojë” Vetëvendosjen duke garuar me siglën e saj duket se do të jetë Osmani, duke lënë kështu në hije zyrtarët e tjerë të Vetëvendosjes dhe vetë Kurtin, i cili mund të detyrohet t’i ndjekë këto zgjedhje nga ekrani.

Por rruga drejt fitores nuk do të jetë kq e lehtë as për Osmanin, e cila ndryshe nga Kurti duket se është futur në garë vetëm  për postin e presidentes. Megjithatë, ky post ka të ngjarë të jetë kushti i çdo partie që do t’i bashkohet Kurtin dhe Osmanit për formimin e qeverisë, duke i bërë kështu parashikimet pas zgjedhore edhe më të vështira.

Analisti Florim Zeqa i thotë Gazetës Si se kandidimi i ushtrueses së detyrës ë presidentit, zonjës Vjosa Osmani në listat e Vetëvendosjes nuk paraqet risi dhe as befasi, për shkak se përafrimi i saj me LVV-në kishte filluar menjëherë pas rënies së 'Qeverisë Kurti'.

“Bashkimi në një listë zgjedhore i Lëvizjes Osmani me LVV-e, respektivisht bashkimi i Vjosa Osmanit me Albin Kurtin, paraqet lidhjen politike më hipokrite, më të panatyrshme dhe më të pasinqertë në këto dy dekadat e fundit. Kjo nuk është lidhje ideologjike, nuk është lidhje e parimeve dhe as e programeve politike, nuk është lidhje për interesin e qytetarëve, por është thjeshtë lidhje interesi personal”, thotë Zeqa.

Analisti thekson se ndërrimi i qeverive përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese vjet, në vitin 2021 do të vazhdojë me procesin e certifikimit të kandidatëve për deputet, duke e lënë sërish fatin e Kurtit në duart e Kushtetueses.

 Viti 2020 shënoi rekordin e papërsëritshëm, të rënjes së dy qeverive dhe të zgjedhjes së dy qeverive nga e njëjta legjislaturë e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese e mbështeti rënien e qeverisë së parë (Qeverisë "Kurti") por edhe shkaktoi edhe rënien e qeverisë së dytë (Qeverisë "Hoti").

Sipas tij, zgjedhjet e 14 shkurtit jo vetëm që nuk do të sjellin stabilitet politik, do të shkaktojnë kriza të njëpasnjëshme institucionale, pasi pavarësisht certifikimit të kandidatëve ose  jo, asnjëra parti nuk do të arrijë të fitojë votat absolute për formimin e qeverisë.

“Pa dashur të flas në mënyrë hipotetike për përqindjet e rezultateve zgjedhore, parashikoj që LVV të dalë partia e parë, dy partitë e mëdha (LDK dhe PDK) do të jenë në garë për vendin e dytë, ndërsa partia e tretë pritet të jetë AAK e Ramush Haradinajt”, i thotë Zeqa Gazetës Si. “Kështu edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të ketë nevojë për marrëveshje politike për formimin e qeverisë së re. Për këtë arsye, fituesi më i madh i zgjedhjeve të jashtëzakonshme do jetë partia e cila i bashkëngjitet subjektit fiues të zgjedhjeve, e cila do ta merrte postin e presidentit dhe gjysmën e posteve ministrore".

Sipas tij, koalicioni më i mundshëm pritet të jetë mes LVV-së dhe AAK-së, duke e bërë kështu të pamundur për Osmanin të marrë postin e presidentes.

“Megjithatë, dy gjëra janë të ditura paraprakisht; e para, asnjëra prej partive politike nuk do ta arrijë të fitojë 50 % të votave të qytetarëve dhe e dyta, AAK-ja do të jetë partia e katërt shqiptare, e cila pavarësisht ngritjes apo rënies në përqindje, do ta kushtëzojë koalicionin me partinë fituese apo koalicionin paszgjedhor me postin e presidentit. Vjosa Osmani në secilin variant nuk mund të zgjidhet presidente e vendit, për shkak të shkrirjes në listën zgjedhore të LVV-së, për arsye se një listë zgjedhore nuk ka gjasa t'i takojnë në të njëjtën kohë dy postet e larta shtetërore", thekson eksperti.

Sipas analistit Zeqa, Vetëvndosje ka po aq gjasa të formojë qeverinë e re, sa edhe të lihet në opozite pavarësisht se është fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pasi partneri i ri i qeverisë do të kërkojë postin e presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë