Ishte radha e Frederik Veselit dhe Ylber Ramadanit për të folur para ndeshjes miqësore me Uellsin. Me sa duket, trajneri Reja i ka piketuar për titullarë këta dy lojtarë në ndeshjen e së shtunës. Mbrojtësi Veseli, që luajti një sezon shumë të mirë me Salernitanën, duke u ngjitur në Serinë A, pasi vlerësoi Uellsin, tha se Shqipëria duhet të konsolidojë grupin para sfidave të shtatorit.

“E pamë Uellsin ndaj Francës dhe deri sa mori kartonin e kuq luajti si i barabartë. Është ekip shumë i fortë, është kualifikuar për në Europian dhe ka kualitet. Mbaj mend edhe ndeshjen që kemi fituar me Uellsin para dy vitesh. Edhe ne kemi lojtarë me cilësi fizike dhe është detyra jonë t’i bllokojmë dhe mos t’i lëmë të bëjnë lojën e tyre.
Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm, por jemi në fazë përgatitore për shtatorin. Për ne nuk ka kurrë miqësore.
Qëllimi është të japim 100% në çdo ndeshje, është edhe një mundësi për të parë formën dhe progresin tone, që të jemi gati 150% kundër Polonisë dhe Hungarisë në shtator. Ne shqiptarët jemi të vlerësuar edhe jashtë, sidomos për faktin që kemi mbrojtës që luajnë në Serie A.
Qëllimi është të jemi të gjithë në harmoni edhe me mesfushorët e me sulmuesit. Sigurisht këtu ka të bëjë edhe puna e trajnerit, ne ndjekim drejtimin e tij. Secili prej nesh është i gatshëm të luajë, por vendos trajneri. E ardhmja? Kam edhe dy vjet kontratë më Salernitanën, ka disa interesime, por do përqëndrohem për momentin te Kombëtarja. Jam shumë i kënaqur që jemi kthyer në Serie A”, – u shpreh Veseli mes të tjerash.
Ramadani: E mendojmë gjithë kohën Botërorin
Mesfushori Ylber Ramadani foli për repartin ku bën pjesë, si dhe për shanset që ka Kombëtarja për t’u kualifikuar në Botëror: “Disa lojtarë kemi qenë që tek ekipi U-21 bashkë, Manaj, Bare, Laçi, Çekici, Seferi dhe thuajse jemi të gjithë këtu. E njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kemi bërë ndeshje të mira bashkë. Në Kombëtare çdo lojtar vjen të japë maksimumin dhe të tregojë veten. Dy miqësoret që kemi janë me ekipe të forta dhe do na shërbejnë për ndeshjet e shtatorit.
Trajneri na jep rekomandime, për shembull na thotë se nëse një skuadër mbyllet mbrapa, si San Marino, duhet të provojmë të gjuajmë në portë nga jashtë zone. Kemi ekip shumë të mirë dhe dimë të luajmë futboll shumë të mire. Besoj që kjo lojë mund të na sjellë diçka të mirë. Kualifikimi në Botëror? Flasim çdo ditë, pasi është një ndjenjë e mirë për të shkuar në Botëror dhe shpresoj ta provojmë edhe ne, me ndeshjet e shtatorit.
Kam oferta dhe kemi vendosur me menaxherin dhe familjen time ta vendosim pas ndeshjeve të Kombëtares. Dua të jem i përqëndruar te këto dy ndeshje, që janë shumë të rëndësishme. Sa i përket Shqipërisë, Partizani është shtëpia ime dhe nuk luaj me asnjë ekip tjetër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




