Kosova

Versioni i ri i planit franko-gjerman për Kosovën dhe Serbinë: Firmosja në mars?!

Gazeta Si – Brenda pak ditësh pritet të mbahet një takim i ri në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Zëdhënësi i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë të enjten se ftesa është lëshuar nga kryediplomati europian, Josep Borrell, por nuk është bërë e ditur data.

“Në disa raste kemi thënë se do të ketë takime në nivel të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç. Përfaqësuesi i lartë tashmë i ka ftuar ata që të vijnë në Bruksel dhe ne do të japim datën në kohën e duhur”, – tha Stano.

Gjatë pjesëmarrjes në samitin e 6 dhjetorit në Tiranë, zv.presidenti Borell bëri të ditur se plani i ri, i pagëzuar me emrin “franko-gjerman”, versioni i ri i ka shkuar si Kurtit, ashtu edhe Vuçiçit.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Ato (Kosova dhe Serbia) duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, – tha Borrell në Tiranë.

Shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell ne samitin e BE-se ne Tirane. Gazeta Si, 8 dhjetor 2022

Media serbe “Danas” në një artikull të saj ka zbuluar detaje nga ky plan, duke iu referuar burimeve diplomatike. Në versionin e ri të propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nuk ka devijime nga disa parime themelore: Kosova merr njohje me të drejtën ndërkombëtare, përkatësisht anëtarësimin në Këshillin e Europës, si dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, ndërsa Serbia merr Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Dokumenti mbetet “top secret”, konfidencial dhe ai u është dorëzuar dy udhëheqësve të Kosovës dhe Prishtinës. Mendohet se ka qenë pikërisht emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, i cili i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë versionin final të propozimit franko-gjerman.

“Danas” mëson se për dallim nga presidenti i Serbisë, kryeministri i Kosovës nuk ka pasur edhe aq shumë kundërshtime të theksuara për propozimin. Ndër të tjera, ai ka theksuar se sipas asaj agjende, marrëveshja përfundimtare duhet të nënshkruhet jo më vonë se marsi i vitit të ardhshëm, që sipas interpretimit të tij do të nënkuptonte edhe njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë.

Burime diplomatike të kësaj gazete thonë se është e sigurt se në atë dokument nuk ka asnjë “çmim” apo “shpërblim” për anëtarësimin e plotë për të dyja vendet në BE, por sigurisht që ka para, fonde.

Më tej, gjithnjë sipas burimeve të kësaj gazette, thuhet se në dokumentin e propozimit franko-gjerman është ndryshuar ideja origjinale për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se nuk do të jetë asociacioni i parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit.

Siç ka mësuar dhe raportuar jozyrtarisht kjo media, “Aleksandar Vuçiç ka kohë vetëm pak javë që të shprehë mendimin e tij për këtë propozim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë