Motosport

Vershtapen ‘show’ në Majemi, një shuplakë edhe për shokun e ekipit Perez

Gazeta Si – Piloti holandez ka fituar në Florida, edhe pse u nis nga vendi i 9-të. Kampioni i botës u tregua i pamëshirshëm edhe ndaj shokut të skuadrës, të cilin e sulmoi dhe e parakaloi.

Maks Vershtapen ka fituar Çmimin e Madh të Majemit, duke dhuruar spektakël në pistë dhe duke u shkëputur në +14 në klasifikim ndaj shokut të skuadrës Serxho Perez, i dyti në këtë garë. Dominimi i Red Bull-it ishte i padiskutueshëm.

Holandezi, i nisur nga pozicioni 9, u ngjit në shkallën më të lartë të podit, falë një rikuperimi të jashtëzakonshëm, që certifikon superioritetin e madh të skuderisë austriake këtë sezon.

Për herë të 4-t në 5 gara e mbylli në vend të 3-të Fernando Alonso me Aston Martin. Garë e komplikuar për Ferrarin, me Sainz në vend të 5-të, pas Mercedesit të Rasëll, kurse Leklerk doli i 7-i, pas Hemiltonit.

Në start pilotët nuk preferuan të rrezikonin dhe më pas nisën të administronin gomat me objektivin për të shmangur ndalesën e dyfishtë. Pas fikjes së semaforëve, Vershtapenit i mjaftuan 4 xhiro për të shkuar në vend të 6-të, falë një parakalimi të dyfishtë spektakolar ndaj Magnusen dhe Leklerk. Ia mundëson superfuqia e Drs-së së Red Bull-it.

Kampioni i botës ishte më i shpejti në pistë në xhirot e para. Pas 15 xhirosh ai ishte pas shokut të skuadrës Perez, duke kaluar edhe Sainz dhe Alonso. Pas rikthimit nga bokset, me goma të mesme, holandezit i mjaftuan pak kthesa për të kaluar meksikanin dhe për të regjistruar fitoren e 3-të sezonale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë