Gazeta Si – Vetë Maks Vershtapen e ka përkufizuar si fundjavën perfekte atë që lamë pas. Kampioni i botës ka rikuperuar pikë të rëndësishme në renditjen e Botërorit pas fitores në Imola, ku çdo gjë shkoi mirë për të: ‘pole pozicion’ të premten, fitore në garën e parë Sprint të vitit dhe triumf në garën e së dielës.

Vërtet fundjavë perfekte, që e lejon holandezin të reduktojë diferencën e akumuluar në tri garat e para të sezonit. “Është shumë e vështirë të arrish një rezultat të tillë, ishte perfekte për ne si skuadër. Bëmë gjithçka mirë, ishte e merituar.
Nisja ishte shumë e rëndësishme dhe po ashtu ia dolëm ta administronim garën shumë mirë. Më vjen keq për Leklerk, por ai bëri një gabim dhe këto janë gjëra që ndodhin. Kishim nevojë për një fundjavë të tillë pas atij fillimi të vështirë të sezonit”, – është shprehur Vershtapen.
Gara e Imolas ishte një provë solide edhe për pilotin tjetër të RED Bull-it, Serxhio Perez, i cili arriti të mbrohej mirë ndaj sulmit të Leklerk.

Euforik pas suksesit të dyfishtë në Imola është shfaqur edhe një nga drejtuesit kryesorë të Red Bull-it, Kris Horner, i cili ka theksuar: “Nota 10? Mendoj se meritojmë 11. Pas zhgënjimit në Australi erdhëm në Itali dhe arritëm këtë dopietë. Gjetëm ekuilibrin dhe mendoj se do të jemi shumë afër Ferrarit gjatë sezonit.
Do të ndryshojnë shumë gjëra nga gara në garë dhe kush do të jetë konstant, do të arrijë objektivin. Pilotët bënë më të mirën, kjo është dopieta e parë që nga 2016-a. Gabimi i Leklerk dhe dalja e Sainz na ndihmuan. Garat kështu janë: një herë shkon mirë dhe një herë keq”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




