Gazeta Si – Maks Vershtapen u tregua shumë i ashpër pas ngjarjes në Austri, ku Formula 1 mori denoncime nga disa gra, viktima të sulmeve verbale me sfond suksual nga një pjesë tifozësh në tribuna. Kampioni i botës është pro ndalimit të ultrasve në pistë, por thekson se këtë duhet ta bëjë F.1.
“Është absolutisht e papranueshme ajo që ndodhi. Për fat të keq, ka njerëz që bëjnë idiotësi të tilla. Duhet ndërhyrë me kontrolle më të ashpra”, – tha holandezi në atë kohë.

Kampioni i botës ka folur sërish në lidhje me këtë argument në prag të Çmimit të Madh të Hungarisë, ku parashikohet që tifozët holandezë ta gjyrosin portokalli Hungaroringun. Vershtapen ka folur në një intervistë për Ap.
“Mendoj se ndalimi i ultrasve varet shumë edhe nga organizimi i F.1, sepse janë ata që bëjnë gjithçka dhe punojnë edhe me promotorët lokalë për personat që ndjekin nga afër garat.
Unë nuk mund të kem kontrollin e asaj çfarë mund të bëjnë fansat. Është e njëjta gjë si në çdo sport, nuk mund t’i kontrollosh tifozët. Por nëse ka më shumë punonjës në lidhje me sigurinë, është ndryshe. Nuk ndodh vetëm në Austri, ka ndodhur kudo”, – ka shtuar Vershtapen.
Piloti i Red Bull-it e sheh si një problem të thellë social sjelljen e tifozëve: “Gjithçka mund të reduktohet me rregulla që në moshë të re. Varet ku je rritur, ku je shkolluar. Nuk mendoj se këta persona reagojnë tani, duke ndjekur Formula 1.
Kjo sjellje e ka nisjen që kur kanë qenë të rinj dhe mendojnë se nuk ka ndonjë problem. T’i përjashtosh nga garat është një masë e fortë dhe jam plotësisht dakord. Por, a jemi të sigurt se do të ndryshojnë? Me shumë mundësi, jo.
Është e njëjta gjë që ndodh në futboll. Ka tifozë që përjashtohen nga stadiumet, por kjo nuk do të thotë se pas 5 vitesh ata nuk do ta bëjnë më atë veprim. Disa persona thjesht nuk mendojnë, ose thjesht bëjnë atë që duan”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




