Është Maks Vershtapen “princi” i Monakos dhe i kampionatit të Formula 1. Me fitoren e sotme, e 12-a në karrierë, holandezi i Red Bull-it ka marrë kreun e klasifikimit, duke kaluar Ljuis Hemiltonin, i cili ka zhgënjyer, duke e mbyllur garën në vend të shtatë. Sharl Leklerk, që duhej të nisej i pari, është tërhequr para garës për shkak të një defekti në makinë dhe Vershtapen e administroi garën në mënyrë perfekte. Ferrari ngushëllohet me vendin e dytë të Sainz.
What a day #MonacoGP 🇲🇨 #F1 pic.twitter.com/RPUYZVRSFL
— Formula 1 (@F1) May 23, 2021
Pas sukseseve të Hemiltonit në Portimao dhe Montmeló, pritej reagimi i Red Bull-it dhe ai ka ardhur në mënyrën më të mirë nga Vershtapen. Ishte një fundjavë e keqe për Mercedesin, që humbi edhe Valteri Botasin në pit stop, në kohën kur ai ishte i dyti: goma e djathtë u bllokua dhe ishte pamundur të hiqej.
Ashtu siç mund të parashikohej, në një garë ku është e vështirë të bësh parakalime, nuk pati surpriza deri në momentin kur filluan pit stop-et. I pari e bëri Hemilton në xhiron e 30-të dhe më pas Sainz dhe Norris, por befasia ishte Aston Martin me Fetel, i cili bëri një xhiro më shumë se rivalët. Akoma më mirë bëri Red Bull-i me Serxhio Perez, që kapi vendin e dytë, pas Vershtapenit. Meksikani u fut për të ndërruar gomat në xhiron e 35-të dhe u rinis i katërti, duke rikuperuar 4 vende, pasi kaloi Fetelin, Hemiltonin, Gaslin dhe Norris.
He'll never forget this day#MonacoGP 🇲🇨 @Max33Verstappen pic.twitter.com/eJJpEBpqUC
— Formula 1 (@F1) May 23, 2021
Ferrari ishte bërë gati të festonte dhe tifozët vendës, madje edhe ata VIP, prisnin të shikonin djalin e shtëpisë, Sharl Leklerk, i cili duhej të nisej i pari, por përjetoi një dramë sportive. Makina e tij SF21 i bëri një shaka të hidhur. Leklerk u tërhoq para nisjes së Çmimit të Madh të Monakos për shkak të disa problemeve në semiaksin e majtë. Një zhgënjim i madh për pilotin francez të Ferrarit.

“Jam shumë i trishtuar, mekanikët bënë gjithçka dhe kambio ishte në rregull, por problem vinte nga ana e majtë e makinës. Duhet të shohim çfarë ka ndodhur, mendoj se lidhet me incidentin e së shtunës”, – tha Leklerk.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




