Motosport

Vershtapen për kampion, 5 arsye pse holandezi mund të fitojë në 2021-shin

Jemi vetëm një javë para nisjes së Botërorit të Formula 1 dhe piloti holandez i Red Bull-it, Maks Vershtapen, është një nga favoritët për titullin kampion bote. Mercedesi ka treguar se është në vështirësi gjatë testeve në Bahrein. Ka disa arsye pse fituesi më i ri në një gare në F1 duhet të shpresojë…

Botërori i ri pritet me shumë interes, sepse mbyll erën e makinave të gjeneratës së fundit dhe bëhet gati për makinat e reja, duke nisur nga 2022-shi. A do të përfundojë donimimi i Mercedesit? Testet në Bahrein kanë treguar se Vershtapen dhe Red Bull janë gati të shfrytëzojnë mundësinë për t’i hequr Hemiltonit titullin e 8-të.

Maks Vershtapen. Gazeta Si, 20 mars 2021

Forcë dhe teknikë – Maks Vershtapen është në një moment ideal të karrierës, por edhe atë personal, siç duket nga qetësia në fotot me të fejuarën Keli Piket. I shpejtë në pistë të thatë dhe të lagur, i qartë në adminiStrimin e gomave dhe asnjëherë në panik kur ka makinë tjetër afër. “Hemilton i pathyeshëm? Kur ke një makinë me të paktën gjysmë sekondi avantazh, të gjitha këto vlerësime janë relative”, – ka thënë gjithmonë sezonet e fundit holandezi.

Vershtapen, që në moshën 23-vjeçare duket si një veteran me 119 gara, ka një tjetër aftësi: është gati, në sensin që di ta shfrytëzojë shansin. Që kur i kanë besuar një makinë Red Bull në 2016-ën, gjithmonë ka fituar të paktën një garë në sezon, 2 në 2017-ën, 2018-ën, 2020-ën dhe 3 në 2019-ën. Pra, më jepni makinën e duhur, pastaj mendoj unë. Dhe kjo gjë na çon tek arsyeja e dytë.

Makina Red Bull e Vershtapen në Bahrein. Gazeta Si, 20 mars 2021

Red Bull – Makina Red Bull RB16B jo vetëm që është krijuar mirë, por duket se është përshtatur më mirë me evoluimin e “motrës” së madhe në 2020-ën, që në fakt ishte një makinë e mirë. Toto Volf nuk e ka përmendur me emër, por kur drejtuesi i Mercedesit thoshte se mes rivalëve “ka ndonjë që po mendon që tani për 2022-ën dhe do të provojë të fitojë që në 2021-shin”, është e qartë se i referohej Red Bull-it.

Gjatë testeve të Bahreinit, Vershtapen gjithmonë ishte në vendet e para me goma mesatare, ndërsa me goma të buta ai ishte para të gjithëve me lehtësi. Probleme të mëdha nuk janë vënë re, kështu që diferenca me kampionët në fuqi duket se është reduktuar, ajo çfarë kërkonte Maks.

Serxhio Perez, pilot i Red Bull-it. Gazeta Si, 20 mars 2021

Ardhja e Perez — Një tjetër element në favor të holandezit është ardhja e Serxhio Perez në skuadër. Politika e Red Bull-it ka qenë për promovimin e një të riu të dalë nga fidanishtja e vet pranë pilotit të parë. Kjo ka bërë që Maks shpesh të përballej i vetëm me dy makinat Mercedes. Këtë herë Helmut Marko dhe Kristian Horner besuan te një nga pilotët më ekspertë, me qëllimin për ta vënë më në presion Mercedesin.

Një Perez që synon të jetë mes 4 vendeve të para dhe që në garë ka shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e një piloti big, vërtet mund ta ndihmojë Vershtapenin dhe Red Bull-in të jenë protagonistë në në pistë për t’i hequr pikë rivalit të tyre, Mercedesit.

Ljuis Hemilton, kampion bote në F1. Gazeta Si, 20 mars 2021

Sirenat për Hemilton — Pranë një Maks Vershtapeni të karikuar është një Ljuis Hemilton për t’u parë. Askush nuk dyshon te kampioni anglez, që ka përpara titullin e 8-të, ndërsa motivimi për të është edhe më i madh për të ushqyer me fitore betejat e tij kundër racizmit, diversitetit dhe barazisë gjinore. Por bisedimet për kontratën nuk ishin shumë entuziaste dhe Ljuis ka firmosur vetëm për një vit.

Të gjithë i dinë tashmë interest e mëdha të tij përtej pistës, së fundi ka folur edhe për familje dhe jetë stabël. Nuk mund të thuhet se Hemilton është i shpërqendruar, do ishte gabim fatal, por nëse atij i shfaqet ndonjë “gungë” e vogël, Vershtapen nuk do ta falte.

Mercedesi, fillim i dobët — Arsyeja e fundit pse Vershtapen mund të fitojë titullin ka të bëjë me rendimentin e Mercedesit në testet e Bahreinit. Një nga drejtuesit e Ferrarit ka thënë se ky është fillimi më i dobët i një sezoni për skuderinë nga Shtutgarti në 7 vitet e fundit. Edhe vetë pjesëtarët e Mercedesit kanë pranuar vështirësitë.

Por, nëse ka një skuadër në gjendje ta shfrytëzojë disavantazhin, është Mercedesi, që edhe dy sezone më parë u duk katastrofë, por në Melburn “shigjetat e argjendta” u renditën të parat. Pra, nuk duhet thënë kurrë se kampionët kanë mbaruar. Gjithsesi, është fakt që nëse Vershtapen dhe Red Bull e nisin mirë, mund ta mbajnë kampionatin të gjallë dhe të hapur pas 7 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë