Motosport

Vershtapen një makineri perfekte, të gjitha rekordet e kampionit holandez

Gazeta Si – Formula 1 kurorëzon Maks Vershtapen për herë të 3-të. Holandezi arkivon titullin kampion 6 gara para fundit të Botërorit. Te Red Bull-i që nga 2015-a, kur debutoi me ekipin satelit Toro Roso, piloti po azhurnon vazhdimisht rekordet që duken të vështirë për t’u thyer. Ja rekordet e Maks Vershtapen në 9 sezone në F.1.

Fituesi më i ri në moshë
Vershtapen filloi të shkruajë historinë që me fitoren e parë në F.1. Në debutimin te Red Bull-i, në vend të Danil Kviat, holandezi triumfoi në Çmimin e Madh të Spanjës, duke dalë para Kimi Raikonen dhe Sebastian Fetel. Kështu Maks u bë fituesi më i ri në moshë në F.1, 18 vjeç, 7 muaj e 15 ditë. Ai theu rekordin e Fetel me 21 vjeç, 2 muaj e 11 ditë.

Fitoret në një sezon
Në 2022-shin triumfues, Vershtapen regjistroi një tjetër rekord, atë të numrit të fitoreve në një sezon. Për 15 herë në 22 gara ai ngriti lart trofeun e vendit të parë. Fitoren e parë e arriti në Arabinë Saudite, në garën e dytë. Më pas trisi mes Emilia Romanajs, Majemit dhe Spanjës, që i dha kryesimin, për të vazhduar me dopietën në Azerbajxhan dhe Kanada. Pastaj 5 fitore në verë: Francë, Hungari, Belgjikë, Holandë dhe Itali. Holandezi e kompletoi veprën e tij me fitoret në Japoni, SHBA, Meksikë dhe Abu Dhabi.

Pikët në një sezon
2022-shi magjik i dhuroi Vershtapenit edhe rekordin e pikëve të grumbulluara një sezon në F.1: 454 pikë. Meritë e 15 fitoreve në 22 gara. Ai theu rekordin e Ljuis Hemilton. Britaniku, në timonin e Mercedesit kishte grumbulluar 413 pikë në 2019-ën.

Fitore radhazi
Në 2023-shin Vershtapen arriti edhe një rekord të ri, që ka të bëjë me fitoret radhazi. Rekordi mbahej nga Sebastian Fetel, me 9 fitore radhazi në 2013-ën. Maks shkoi deri në 10 fitore radhazi, duke e nisur triumfin në Majemi, pastaj në Montekarlo, Spanjë, Kanada, Austri, Britaninë e Madhe, Hungari, Belgjikë, Holandë dhe Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë