Motosport

Vershtapen me kritika të forta: Në Las Vegas 99% show dhe 1% garë, ndihem si palaço

Gazeta Si – Maks Vershtapen nuk e njeh shumë diplomacinë, ai gjithmonë e thotë hapur atë që mendon, si në rastin e fundit për garën e Las Vegasit.

“Aspekti sportiv përfaqëson vetëm 1%, show 99%. E kuptoj rëndësinë e aspektit që lidhet me biznesin, por nuk mund ta fsheh pikëpamjen time në lidhje me atë që më intereson më shumë: gara dhe performanca”.

Fundjava e Formulës 1 në Las Vegas është ndezur nga këto fjalë të kampionit të trefishtë të botës, Maks Vershtapen. Holandezi e ka kritikuar haptazi zgjedhjen për të garuar në qytetin amerikan.

“Këto makina kaq të rënda nuk janë bërë për të garuar në cirkuitë qyteti, – shton piloti holandez i Red Bull-it, – por në pista me kthesa të shpejta me rreze të gjerë. Pista e Las Vegasit nuk është e tillë. Në përgjithësi ky event nuk më tërheq aspak”.

Vershtapen ka kritikuar ashpër edhe 30 minutat e ceremonisë së prezantimit me publikun: “Të qëndroja aty në këmbë u ndjeva si një palaço. Për efekt të ndryshimit të orës, janë 12 orë, jetojmë me një orar japonez, por në Las Vegas. Pra, në një ditë tjetër, është shumë e lodhshme dhe nuk e kuptoj pse. Dhe ta bësh këtë në fund të sezonit nuk ka fare sens”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë