Motosport

Vershtapen kampion bote! Holandezi i rrëmben titullin Hemiltonit në xhiron e fundit

Ljuis Hemilton zbret nga froni, Maks Vershtapen shpallet kampion bote i Formula 1 për herë të parë! Piloti holandez i Red Bull-it ka fituar në garën e fundit të Botërorit, në Abu Dhabi, duke i rrëmbyer titullin Hemiltonit. Në këtë garë rivalët vinin me pikë të barabarta, nga 369.5 secili.

Një parakalim i pabesueshëm në xhiron e fundit i dhuroi titullin pilotit 24-vjeçar të Red Bull-it, që e nisi garën nga vendi i parë, por u parakalua që në fillim nga Hemilton. Kampioni në fuqi i botës e ruajti kryesimin deri afër fundit, por finishin e kaloi i pari Vershtapen.

Për një moment u duk se Hemilton do të fitonte titullin e tetë kampion bote. Ai e dominoi garën që në momentin e parakalimit të rivalit, por situata u përmbys pak xhiro para fundit, pas përplasjes së Nikolas Latifit dhe futjes së “Safety car”.

Në xhiron e fundit Maks Vershtapen bëri atë parakalim të jashtëzakonshëm, duke e përfunduar i pari garën në Yas Marina dhe duke i rrëmbyer titullin nga duart Hemiltonit. Festë e jashtëzakonshme në skuderinë Red Bull, ndërsa holandezi shpërtheu në lot gëzimi pa hequr ende kaskën.

Holandezi më pas vazhdoi të qante te gomat e makinës së tij, ku nuk do të mungonte përqafimi i babait Jos dhe mekanikëve të skuderisë së tij. Ljuis Hemilton qëndroi për disa minuta në makinën e tij dhe më pas i dha dorën Hornerit, njërit prej drejtuesve kryesorë të Red Bull-it. Pastaj edhe rivalit Vershtapen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë