Motosport

Vershtapen-Hemilton si Sena-Prost në 1990-ën? Tifozët e anglezit i druhen përplasjes

Të dielën, në Abu Dhabi, do të mbyllet një nga kampionatet më të bukur të historisë së Formulës 1. Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton e startojnë me pikë të barabarta garën e fundit, ku do të kurorëzohet kampioni i Botërorit të 2021-shit.

Pikë të barabarta, por holandezi ka avantazhin e numrit më të lartë të fitoreve: 9 kundër 8 të anglezit. Një element domethënës, që mund të kushtëzojë garën finale. Po, sepse nëse asnjëri nga dy rivalët nuk merr pikë në Abu Dhabi, titulli shkon në duart e pilotit të Red Bull-it.

Moment i kontaktit mes Vershtapen dhe Hemilton ne garen e fundit. Gazeta Si, 7 dhjetor 2021

Dhe duke marrë në konsideratë faktin se Vershtapenit nuk është se ia ndjen shumë për këto gjëra, tifozët e Hemiltonit ia kanë frikën. Ata druhen se holandezi mund të përpiqet t’i japë fund garës së rivalit në mënyrë jokorrekte dhe jo të ligjshme para finishit. Përkundrazi, mund ta nxjerrë nga gara që në kthesën e parë.

Një skenar që sjell në mendje atë çfarë ndodhi në vitin 1990, në Suzuka, mes Airton Senës dhe Alan Prost. Situata ishte e ngjashme me aktualen dhe në fund shpirti hakmarrës i brazilianit fitoi ndaj ferraristit. Që në kthesën e parë Sena vendosi ta përplaste në mënyrë të vullnetshme makinën e pilotit francez, duke mbrojtur avantazhin minimal që kishte në klasifikim dhe kështu u shpall kampion për herë të dytë. Në mendjen e tij ishte ajo që kishte ndodhur një vit më parë po në Japoni mes tij dhe Prostit, në atë kohë shokë skuadre te MekLaren, kur i dhuroi titullin francezit.

Si në atë kohë, edhe sot FIA nuk ka në plan të ndërhyjë për të vendosur penalitete për një rast të tillë, siç do të ishte, për shembull, heqja e pikëve. Në 1997-ën, Mikael Shumaker u “fshi” nga klasifikimi final i Botërorit pas incidentit të vullnetshëm me Zhak Vilnëv në finalen e Jerezit, por vetëm kur gara përfundoi dhe titulli shkoi në duart e kanadezit.

Për këtë precedent ekziston edhe rreziku që një prej finaleve më të bukura të Formulës 1 moderne mund të mbyllet vetëm në pak sekonda. Do të ishte vërtet një mëkat, po të kemi parasysh atë që që ka ndodhur deri tani në këtë Botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë