Motosport

Vershtapen fiton edhe në Monca, Leklerk i dyti. Polemika për ‘Safety car’

Gazeta Si – Gara e Moncës ka përfunduar me fitoren e Maks Vershtapen, por nuk kanë munguar polemikat dhe vërshëllimat nga publiku. Kjo garë u mbyll me ‘Safety car’ në pistë tri xhiro para flamurit me kuadrate. Titulli gjithmonë e më pranë për holandezin.

Edhe gara e 16-të e Botërorit shkon për kampionin e botës. Vershtapen ka fituar “në paserelë” Çmimin e Madh të Italisë, që përfundoi i kushtëzuar nga ‘Safety Car’, i futur në pistë pasi MekLareni i Riçardos u ndal 4 xhiro para fundit.

Një administrim i ngadaltë dhe konfuz nga ana e drejtimit të garës nuk lejoi Sharl Leklerk, i cili ndiqte nga pas holandezin, të luante gjithçka për gjithçka në sprintin final të garës. Një situatë që u shoqërua me vërshëllima nga tifozët e Ferrarit në Monca.

Podi është kompletuar nga Xhorxh Rasëll i Mercedesit. Karlos Sainz ka zënë vendin e 4-t, ndërsa pas tij janë renditur Ljuis Hemilton dhe Serxhio Perez.

Një paraqitje brilante bëri De Vries me Uilliams. Piloti që zëvendësoi Albon zuri vendin e 9-të në Monca dhe kjo është një arritje për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë