Motosport

Vershtapen dhe Hemilton kundër formatit të ri: Më pak aksion, mëkat për njerëzit!

Gazeta Si – Dy kampionët e botës janë shfaqur papritur aleatë kundër shpërndarjes alternative të gomave, e kërkuar për të reduktuar impaktin ambiental të F.1. Por jo të gjithë kanë vrapuar drejt kursimit…

Formati eksperimental i Formulës 1, i aplikuar këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Hungarisë, ka sjellë shumë diskutime. Shpërndarja alternative e gomave Pirelli, që në Budapest ka çuar 3 sete gomash të forta, 4 të mesme dhe 4 të buta – në total 11 grupe dhe jo 13 për çdo pilot, – ka treguar një tendencë kursimi nga ana e skuderive.

Vershtapen në provat e lira në Hungari. Gazeta Si, 22 korrik 2023

Rrjedhimisht ka limituar veprimet në pistë, sidomos në provat e lira 2, pasi në sesionin e mëngjesit nuk u bë gjë për shkak të shiut dhe dy flamujve të kuq për incidentet e Perez dhe Sainz. Dhe nëse pritshmëria është mbi të gjitha e orientuar te kualifikueset, në fund pati kohë dhe mënyra për të gjykuar edhe eksperimentin.

Një vlerësim i parë negativ, mjaft negativ, ka ardhur nga dy emra të mëdhenj, siç janë kampionët Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton.

Holandezi nuk u duk aspak entuziast për strategjinë e zgjedhur nga skuadra e tij, që kërkoi të kursente gomat në prag të kualifikuesve. Kjo bëri që në FP2 kampioni në fuqi të ecte me një set gomash soft. Një anomali, po të kemi parasysh se zakonisht çdo pilot ka në dispozicion të paktën dy sete të reja për çdo tur provash.

“Ishim të limituar për shkak të formatit të ri, – ka thënë Vershtapen për Sky në fund të ditës. – Nuk deshëm të konsumonim goma për të përgatitur më mirë kualifikueset. Por është një mëkat, sepse në cirkuit kishte snhumë njerëz dhe nuk u falëm ndonjë emocion. Të shohim çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar situatën, por kështu kursejmë shumë goma dhe nuk besoj se është korrekte”.

Hemilton në provat e lira. Gazeta Si, 22 korrik 2023

Pas përfundimit të dy sesioneve të para të provave të lira në Hungari edhe piloti i Mercedesit, Ljuis Hemilton, ka kritikuar formatin e ri. Vershtapen mbajti qëndrim të prerë, por këtë herë pati edhe anglezin aleat. Hemilton, që është gjithmonë pro ruajtjes së ambientit, që është edhe një nga arsyet e shpërndarjes alternative të gomave, ka dalë kundër eksperimentit.

“Për mendimin tim, ky që kanë zgjedhur për këtë fundjavë, nuk është format aq i mirë, sepse në substancë përkthehet në xhiro më pak. Nuk është ideale, ka shumë goma për terren të lagësht që hidhen pas një fundjave. Besoj se duhet të merren më shumë me këtë aspekt se të na marrin kohë në pistë ne dhe fansave”, – theksoi Hemilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë