Motosport

Vershtapen barazon Airton Senën në Kanada, fitorja numër 100 për Red Bull-in

Gazeta Si – Fitorja e 6-të në 8 gara të Botërorit për Maks Vershtapen, që me triumfin në Montreal ka barazuar Airton Senën në kuotën e 41 fitoreve. Po ashtu, kampioni holandez i ka dhuruar sot fitoren e 100-të skuderisë Red Bull.

Vendin e dytë në Kanada e ka zënë Fernando Alonso, i cili ka bërë një parakalim të bukur ndaj Ljuis Hemilton. Ferrari kompleton ‘top five’ të kësaj gare me Sharl Leklerk dhe Karlos Sainz në vend të 4-t dhe të 5-të. Në vend të 6-të Serxho Perez, që nuk ka marrë pjesë në …festën e Red Bull-it.

Një paraqitje shumë të mirë ka bërë në Kanada Aleksander Albon, duke e çuar Uilliamsin në vend të 7-të, përpara Esteban Okon, Lens Stroll dhe Valteri Botas, i cili ka fituar pikën-bonus për xhiron më të shpejtë të garës piëkrisht në fundin e saj.

Për Vershtapen dhe Red Bull-in ishte një fundjavë e madhe. Fitorja e 6-të e afron holandezin me titullin e 3-të radhazi kampion, që sërish do të ishte një barazim me kampionin brazilian Sena. Sigurisht, janë kohë të tjera, ka më shumë gara, por SuperMaks tashmë është në historinë e Formulës 1, mes më të mirëve të kohës së tij, por edhe të të gjitha kohërave.

Në Montreal kampioni në fuqi kishte në kontroll garën, edhe pse prapa kishte dy rivalë të rrezikshëm si Alonso dhe Hemilton, gati për të përfituar në çdo moment. Spanjolli i Aston Martin e nisi keq, por nuk fund arriti podin e 6-të, që e çon 9 pikë larg Perezit, i cili sot bëri një garë të dobët.

Në klasifikimin e përgjithshëm të pilotëve, Vershtapen ngjitet në kuotën e 195 pikëve, 69 më shumë se Perez. I treti është Alonso me 117 pikë, pastaj Hemilton me 102 pikë dhe pas një boshllëku vijnë 68 pikët e Sainz, 65 të Rasëll dhe 54 të Leklerk.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë