Motosport

Vershtapen arrin fitoren numër 52 në Brazil, Leklerk përplaset në xhiron e formatimit!

Gazeta Si - Maks Vershtapen sërish nga ‘pole position’ te flamuri me kuadrate. Tri herë kampioni i botës ka fituar edhe Çmimin e Madh të Brazilit (fitorja e 17-të sezonale), duke dalë para Lando Norris dhe një Fernando Alonso të jashtëzakonshëm, që ka çuar në pod Aston Martin.

Spanjolli e kaloi finishin 53 të mijëtat para Serxhio Perez, në fund të një dueli që u ndez me parakalimin e meksikanit dhe më pas kundërparakalimin e Alonsos respektivisht në xhiron e parafundit dhe atë të fundit. Piloti i Aston Martin ngjitet në pod për herë të 8-të këtë vit dhe pas më shumë se dy muajsh nga hera e fundit.

Lens Stroll bëri një garë të mirë dhe zuri vendin e 5-të me Aston Martin tjetër, kurse Karlos Sainz u rendit i 6-ti me Ferrarin e vetëm në garë, pas asaj daljeje katastrofike nga skena të Leklerk në xhiron e formatimit.

Gara u ndërpre që në fillim pas incidentit në kthesën e parë pas semaforit të Aleksander Albon dhe Kevin Magnusen. Një garë për t’u harruar edhe për Mercedesin, pasi Xhorxh Rasëll u detyrua të tërhiqej, kurse Ljuis Hemilton nuk shkoi më shumë se vendi i 8-të, pas Pierr Gaslit. Pavarësisht daljes së Leklerk, Ferrari fiton ndonjë pikë ndaj Mercedesit në garën për vendin e dytë të konstruktorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë