Motosport

Vershtapen analizon fitoren e fundit: E vura në presion Leklerk!

Gazeta Si – Pas fitores së 7-të sezonale, Makz Vershtapen ka 63 pikë avantazh ndaj rivalit Shar Leklerk. Një diferencë e konsiderueshme, që e bën edhe më komod pozicionin e kampionit të botës.

Holandezi duket edhe më i sigurt në rrugëtimin drejt titullit të dytë radhazi kampion bote. Vershtapen është i ndërgjegjshëm për këtë situatë. Ai është në kulmin e pjekurisë tashmë.

U tregua i pamëshirshëm për ta vënë nën presion Leklerk gjatë 18 xhirove që francezi qëndroi në pistë në garën e fundit. “Kishim një ritëm të mirë që në fillim. E vendosa nën presion Sharlin, me këto temperatura gomat nxehen shumë. Provova ta parakaloja në kthesën 11, por nuk ia dola. Pastaj vendosëm të hyja para kohe në bokse”, – tha Vershtapen.

Holandezi u njoftua në radio për përplasjen e francezit. “Ishte fat i keq për të. Ishte e pamundur të bëhej një tjetër ndalesë, sepse korsia për në bokse është shumë e gjatë”, – ka shtuar piloti i RED Bull-it.

Më tej Vershtapen nuk i ka dhënë shumë rëndësi faktit se Botërori është në duart e tij: “Unë përpiqem të arrij maksimumin. Ndonjëherë duhet të kuptosh se nuk mund të sulmosh me të gjitha mundësitë. Ndoshta është më mirë të presësh fundin e garës”.

Maks Vershtapen feston fitoren në Francë. Gazeta Si, 25 korrik 2022

Maks Vershtapen është pjekur. Të jesh kampion bote ta jep këtë shans, të jep besimin e duhur. Ndaj dhe ai është i pakapshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë