Të parët që e kuptuan se dyert e Europës duhet të hapeshin me doemos ishin trafikantët e qenieve njerëzore. Hetimet e ndryshme përfshi dhe Shqipërinë treguan se si rrjetet ndërkombëtare u puqën menjëherë dhe gjetën gjuhën për të siguruar kalimin e njerëzve që synonin të shpëtonin nga konfliktet në Lindjen e Mesme. Dy vitet e fundit nga të dhëna jo zyrtare të vendosura në dispozicion të Gazetasi.al tregojnë se gati 25 mijë migrantë të parregullt përdoren Shqipërinë me destinacion Europën apo akoma më larg.
Pjesa dërrmuese e tyre konfirmon një zyrtar pranë policisë kufitare shoqërohen nga bashkëkombas të tyre deri në shtigjet shqiptare përgjatë kufirit të gjelbër, aq të kalueshme saqë edhe misionet e përbashkëta të Frontex nuk i ndalën dot.
Sidoqoftë agjensia europiane e kufirit dhe rojes kufitare u vendos në jug të vendit (Gjirokastër) pothuajse dy vite më parë me synimin për të ofruar mbështetje gjatë menaxhimimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.
Që vendi ynë ishte kthyer në mënyrë të padiskutueshme një urë drejt Evropës u kuptua së tepërmi menjëherë mbas luftës së nisur në Siri, por grupet me migranë, afganë, sirianë dhe kurdë ranë së tepërmi në sy gjatë mbylljes së vendit për shkak të shpalljes së pandemisë.
Udhëtim mijra kilometra
Kjo panoramë u bë e prekshme, dhe e dukshme me grupe të rinjsh e të rejash, por veçanërisht burra u panë të përshkruajnë në këmbë rrugët nacionale. Disa prej tyre ndaloheshin, të tjerë mundën të krijojnë strehëza në kryeqytet, si baza kalimtare prej nga ku presin të largohen drejt destinacionit final. Por që si përherë sipas burimeve të policisë ka patur ngahera tre porta dalëse. “Dëshpërimi i migrantëve për tu larguar medoemos rezultoi tragjik në një rast, ku një i ri nga vendet e lindjes dhe në konflikt tentoi të largohej me not nga porti i Durrësit dhe 25 vjeçari humbi jetën gjatë kësaj tentative, kujton zyrtari i kufirit për Gazetasi.al që përmend se si porti i këtij qyteti u kthye në një nga shpresat për të ikur medoemos e për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian.
IOM dëshmon se vdekjet në rrugët e migrimit detar drejt Evropës janë shtuar gjatë 2021. “Të paktën 1446 njerëz vdiqën duke u përpjekur të arrinin në Europë përmes detit në gjashtë muajt e pare” shkruan në një raport të këtij viti Organizata Ndërkombëatre për Migracionin.
Rasti me ekstrem në vendin tonë u shënua në fillim të vitit, që nga ndërhyrja e rojes bregdetare u shpëtuan nga mbytja 50 shtetas sirianë, egjiptianë dhe iranianë që po lundronin me gomone drejt Italisë. Skafistët u larguan dhe kjo çështje doli në dritë nga një hetim i prokurorisë që akuzoi punonjësit e rojes bregdetare se lejuan largimin e skafistëve, një akuzë që nuk e bindi gjykatën që ti çonte ata në burg mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Të gjithë dalin, pak qëndrojnë
Dy portat e tjera dalëse janë largimi nga Mali i Zi dhe nga Kosova përmes dhënies ndihmë nga shqiptarë që vlerësohen se në 80 përqind të rasteve ndalojnë automjetin për ti marrë si pasagjerë. “Shembujt e transportuesve që janë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare për trafikun e tyre zënë një përqindje mjaft të ulët” konsideron jo zyrtarisht burimi i Gazetasi.al.
Por të dhënat nga raporti vjetor i 2020-ës të Shërbimit Informativ konfimojnë se viti kulminant i migrantëve që përdorën si rrugë kalimi vendin tonë ishte 2020-ta ku dhe vlerësohet se 17 mijë migrantë përdorën Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.
Por përballë këtij fluksi që vërshoi nga kufiri i gjelbër, veçanërisht me pikat e kalimit kufitar të Greqisë në qytetet kryesore Gjirokastër, Korçë dosjet e vendosura në dispozicion Gazetasi.al tregojnë se shqiptarët ua kanë hapur me kohë dyert të huajve, atdheu i të cilëve është në konflikte dhe në luftë dhe për pasojë ata e braktisën atë.
Hetime
Një nga fashikujt e shumtë thotë se “punonjësit e policisë në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë marrë njoftim se pranë Spitalit Ushtarak ishin grumbulluar disa persona, kanë kaluar në këtë adresë dhe kanë konstatuar në këtë zonë një grup personash, shtetas të huaj nga Siria në trotuar dhe në një dyqan. Pasi personat kanë dalë nga dyqani kanë marrë kontakt me shtetasin D.A dhe një shtetas tjetër që ndodhej me të, i cili është prezantuar si I. S. Në intervistimin paraprak që iu ka bërë patrulla e policisë këtyre personave, njëri prej tyre ka dhënë gjeneralitetet dhe dispononte një dokument identifikues ne gjuhën greke. Shtetasi D.A. iu ka thënë punonjësve të policisë se I. S. kishte 7 ditë që ishte futur në territorin e Republikës së Shqipërisë nga Greqia. Gjatë intervistimit, punonjësit e policisë kanë mësuar se ishin dhe disa persona të tjerë të huaj të cilët ishin strehuar tek dy hotelet".
Hotelet në fjalë ishin kthyer si vendstrehimi i të huajve për të cilët njëherazi kishte hapur derën e shtëpisë edhe një qytetar që kishte strehuar shtetas me kombësi të ndryshme. Njëri ndër ta tregon për vendin e tij dhe arratisjen tetë vjecare në Ballkan, ku dhe kishte ngecur, pa mundur të dilte dot prej tij.
“Është pyetur si person që ka dijeni shtetasi Hannan Hossein në gjuhën që ai pranoi se kuptonte, në greqisht. Hannani ka sqaruar në vitin 2013 se është larguar nga Siria dhe është vendosur në Greqi. Vajza dhe gruaja e tij ndodhet në Zvicër dhe për këtë arsye ka dashur të bashkohet me familjen e tij. Në Athinë ka njohur një person nga Sudani, të cilin e identifikon me emrin Muhamed Ali. Muhamedi i ka thënë se do ta ndihmonte për të vajtur në Zvicër kundrejt pagesës prej 1000 eurove, të cilin do ia bënte kur të mbërrinte në Serbi. Muhamedi i ka nxjerrë Hananit një kartë identiteti greke me emrin I. S”.
Së bashku me 22 emigrantë të tjerë ai mbërriti në Shqipëri nga Greqia dhe kishin destinacion kalimtar Serbinë. Ata u zbulan menjëherë në Kakavijë dhe policia i ktheu pas. Por burri nuk u dorëzua. Gjatë përpjekjeve ai nisi të zërë miq e shokë shqiptare dhe madje të njohë edhe trafikantë midis tyre
“U futëm përsëri në Shqiperi dhe personi që na shoqëronte na hipi në pesë automjete dhe udhëtuam drejt Tiranës ku dhe na vendosën në hotel”.
Teksa disa prej udhëtarëve kishin vazhduar përshkrimin e rrugës kombëtare drejt Serbisë, dëshmitari ngeci në Tiranë ku dhe zuri miqësi me një shqiptar
“I thashë D.A se si mund te shkoja në Serbi dhe më ka thënë se mund te shkoja përmes Kosovës. Gjatë kësaj kohe i kërkova që të më gjejë një shtëpi dhe ai ma gjeti”.
Shqiptari konfirmoi miqësinë me migrantin sipas të cilit i kishte kërkuar ta ndihmonin me strehim dhe ia kishte garantuar këtë gjë duke i hapur derën e tij e duke i dhënë një dhomë me qira.
Normalisht që fashikulli tregon se mes të pyeturve në polici përfundoi edhe një grua e cila disponon një mëngjezore në afërsi të spitalit dhe që i kishte ndihmuar me bukë të huajt
“Nuk kam të dhëna me interes për hetimin, në ambjentet e mëngjezores i gatuaj kujtdo që kërkon vakte. Mbasi aty mëngjezorja frekuentohet nga shtetas që shkojnë në spital dhe nga shtetas që vijnë nga Lindja e Mesme. Unë ju gatuaj pa asnjë dallim” thotë gruaja në polici.
Pashë njerëz në rrugë i mora
Së bashku me migrantët e lindjes për të cilët policia u vu në kërkim dhe që më së shumti i kthente pas gjatë procesit të intervistimit, në kërkim të gjurmëve të ndihmësve të tyre ishin dhe shqiptarë. M.M i moshës 29 vjeç u kap nga një patrullë policie me kurdë, sirianë dhe afganë në bordin e makinës. Kur ai u pyet nga oficerët e komisariatit numër 5 ai deklaroi:
M.M: Ndër të tjera po kaloja rastësisht në rrugë dhe pashë disa njerëz që ma bënë me dorë. Pasi i mora, pashë që ishin shtetas të huaj dhe po mendoja të ndaloja e ti zbrisja diku.
Por ndërkohë përpara dëshmisë së të riut që pretendon se i kishte marrë pasagjerët nga keqardhja, policia nuk ngurroi ta referojë për hetime. Në dosje shkruan: Nga ana e policisë gjyqësore është bërë kqyrja e telefonit të shtetasit I. A, i cili ka komunikime në aplikacionin WhatsApp me numrat 69.. me të cilin bisedojnë për pagesën që duhet të bëjnë për transportin e tyre. Në këtë telefon është i regjistruar me emër personi “Ebu L.” me numër +35568… me të cilin kanë komunikime të shumta në gjuhën Arabe. Gjatë kqyrjes së telefonit të shtetasit M. M. është parë se ka të regjistruar emrin “Aqifi” me Nr. +35569…., i cili është i njëjti person që ka komunikuar me shtetasit e huaj. Në mesazhet e shkëmbyera me numrin +3249.. mesazhe që flasin për refugjatë.”
Në një rast tjetër gjykata vlerëson se shtimi i shtetasve shqiptarë që po implikohen në rrjetet e trafikimit të migrantëve të paligjshëm është rrethanë rënduese për të dyshuarin. “Vepra penale e kryer nga i pandehuri rezulton të jetë gjithnë e më problematike në kushtet e Shqipërisë dhe rrezikshmëria e saj është aktuale” thekson gjyqtari në dënimin e të riut J.I, i cili kundërshtoi shpalljen fajtor. Argumenti i 30 vjeçarit në gjykatën e Apelit ishte këmbëngulja se ai po udhëtonte ne zonën e Bilishtit dhe se aty kishte ndaluar për t'i marrë si pasagjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.