Kosova

Veriu i Kosovës, situata e qetë, por rrugët drejt Jarinjës dhe Bërnjakut mbeten të bllokuara

Policia e Kosovës njoftoi se situata në veri të vendit mëngjesin e së hënës mbetet relativisht e qetë, por dy rrugët që të çojnë në pikat e kalimit kufitar të Jarinjës dhe Bërnjakut mbeten të bllokuara.

Veç automjeteve, bllokadave iu bashkuan edhe qytetarë serbë, kryesisht punonjës të administratës arsimore e shëndetësore që u urdhëruan më parë nga strukturat paralele serbe që të dalin e të përforcojnë bllokadat e vendosura në rrugë.

Në dy pikat kufitare të bllokuara, autoritetet e Kosovës thanë se kanë nisur zbatimin e reciprocitetit, duke e kushtëzuar shtyrjen e këtij vendimi për në 1 shtator vetëm kur të hiqen bllokadat e vendosura nga serbët. Ndërkohë, në Mitrovicën e Veriut janë shfaqur pankarta me mesazhe për bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

“Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkruhet në pankartat dhe banerat e vendosura në qytet. Pavarësisht kësaj, situata mbetet e qetë.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës njoftoi se në të paktën 4 raste udhëtarët shqiptarë kanë rënë pre e dhunës dhe vandalizimit të protestuesve serbë. Në njërin prej tyre, persona të armatosur dhe të maskuar pasi kanë dhunuar një familje shqiptare u kanë marrë edhe makinën.

Mesazhe për vetëpërmbajtje për të dyja palët kanë dërguar kancelaritë më të mëdha të perëndimit. Brukseli përshëndeti vendimin e Qeverisë për ta shtyrë zbatimin në 1 shtator dhe kërkoi heqjen pa vonesa të barrikadave.

Shtyrja e zbatimit të vendimit ishte një kërkesë e drejtpërdrejt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që iu përcoll qeverisë së Albin Kurtit përmes Ambasadës në Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë