Gazeta Si – Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Kledian Llaho, drejtues i Prokurorisë së Sarandës, duke i caktuar masën “Vërejtje publike”.
Hetimi disiplinor i ILD-së ndaj magjistratit, i pezulluar para dy javësh nga GJKKO me kërkesë të SPAK, ka nisur bazuar në ankesën e një qytetareje, të paraqitur përmes formularit online në faqen e ILD-së, me pretendimin për zvarritje të hetimit të procedimit penal nga ana e prokurorit Llaho.
Hetimi disiplinor konkludoi se nga ana e prokurorit Llaho janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, të cilat kanë të bëjnë me mos përmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve; mosveprimet e prokurorit janë kryer me faj me dashje direkt, duke mos përmbushur detyrat e lëna nga gjykatat, duke lënë pa veprime dosjen hetimore për një periudhë mbi 2 vjeçare.
Duke marrë në konsideratë se magjistrati nuk ka masë disiplinore dhe nuk ka kryer shkelje tjetër disiplinore, ILD i propozoi KLP-së marrjen masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës”, në masën 40 % për një afat një vjeçar ndaj prokurorit Llaho.
Në 16 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë të SPAK ka pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Sarandës, pasi akuzohet për korrupsion pasiv.
Ai dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Po ashtu, prokurorët kanë dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë.
Në njoftimin e SPAK, thuhet se kryeprokurori i Sarandës, në cilësinë e prokurorit në një dosje penale të vitit 2021, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.