Futboll

Verdiktet e Championsit/ Milani sot për 1/8-at, Juventusi për objektivin minimal

Gazeta Si – Është mbrëmja e verdikteve në Champions. Pas ndeshjeve të sotme do të plotësohet 16-shja e skuadrave që kalojnë grupin, si dhe do të përcaktohen ato që shkojnë në Ligën e Europës. Milani është plotësisht në garë për vendin e dytë, kurse Juventusi duhet të mbajë vendin e tretë për Ligën e Europës.

Skuadra e Piolit do të ndeshet me Salcburgun dhe i mjafton një barazim për të kaluar më tej. ‘San Siro’ është përgatitur për një mbrëmje tensioni dhe shprese. Në fakt, kuqezinjtë e kanë në dorë fatin e tyre dhe besimi është i madh për t’u kualifikuar.

Pioli dhe Leao në stërvitje. Gazeta Si, 2 nëntor 2022

Milani e kërkon me ngulm këtë gjë, për rritjen e tij, eksperiencë dhe për të mbushur arkat. Pioli shpreson që Leao të bëjë Leaon e vërtetë. Në sulm do të jetë Zhiru, në qendër të mesfushës dyshja Tonali-Benaser, kurse në mbrojtje Kjaer do të luajë në krah të Tomorit.

Juventusi pret në Torino PSG-në dhe mjaft të bëjë sa ose më mirë se Makabi për të mbajtur vendin e tretë, që e çon në Ligën e Europës. Është një detyrim për skuadrën e Alegrit, është objektivi minimal për këtë sezon.

Lista e mungesave është e gjatë dhe në sulm do të luajnë Kean dhe Milik, në mesfushë ka vend për Miretin dhe në mbrojtje për Gatin. Kundërshtari nuk është aspak komod.

Champions, ndeshjet e fundit në grup
Sot, ora 18:45
Real Madrid-Selltik
Shakhtar Donetsk-Lajpcig
Ora 21:00
Milan-Salcburg
Çelsi-D.Zagreb
Kopenhagen-B.Dortmund
Juventus-PSG
Makabi Haifa-Benfika
Mançester Siti-Sevilja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë