Moti që përfshiu Europën këtë verë shkaktoi humbje ekonomike afatshkurtra prej të paktën 43 miliardë eurosh, sipas një vlerësimi në të gjithë BE-në, me kostot që pritet të rriten në 126 miliardë euro deri në vitin 2029.
Goditja e menjëhershme në ekonomi nga një verë e vetme brutale me vapë, thatësirë dhe përmbytje arriti në 0.26% të prodhimit ekonomik të BE-së në vitin 2024, sipas analizës, e cila nuk është dorëzuar ende për shqyrtim nga kolegët, por bazohet në të dhëna të motit dhe ekonomike që u botuan në një studim akademik këtë muaj.
Dëmi më i madh u shkaktua në Qipro, Greqi, Maltë dhe Bullgari, secila prej të cilave pësoi humbje afatshkurtra mbi 1% të vlerës së shtuar bruto të tyre të vitit 2024, një masë e ngjashme me PBB-në. Ato u pasuan nga vende të tjera mesdhetare, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Portugalinë.
Ekonomistët nga Universiteti i Mannheimit dhe Banka Qendrore Europiane i përshkruan rezultatet si “jo tw plota” sepse nuk morën parasysh zjarret rekord që dogjën Europën Jugore muajin e kaluar ose ndikimin e përkeqësuar të ngjarjeve ekstreme të motit që godasin në të njëjtën kohë.
Sehrish Usman, ekonomist në Universitetin e Mannheimit dhe autori kryesor i studimit, tha se “vlerësimet në kohë” të studimit mund të ndihmojnë politikëbërësit të synojnë mbështetjen në mungesë të të dhënave zyrtare.
“Kostot e vërteta të motit ekstrem dalin në pah ngadalë sepse këto ngjarje ndikojnë në jetë dhe jetesë përmes një game të gjerë kanalesh që shtrihen përtej ndikimit fillestar.”
Ndërsa shumica e hulumtimeve mbi kostot ekonomike të prishjes së klimës shqyrtojnë ndikimet e drejtpërdrejta, siç janë asetet e shkatërruara ose humbjet, autorët e studimit të ri përdorën marrëdhënie historike midis motit dhe prodhimit ekonomik për të llogaritur efektet e valëzuara, siç janë orët e kufizuara që ndërtuesit mund të punojnë gjatë valëve të nxehtësisë ose ndërprerja e kohës së udhëtimit pas përmbytjeve që dëmtojnë rrugët.
Stephane Hallegatte, ekonomisti kryesor i klimës në Bankën Botërore, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se ky studim konfirmoi se ndikimet më të gjera ekonomike të motit ekstrem ishin më të mëdha se efektet e drejtpërdrejta dhe zgjasin më shumë nga sa imagjinojnë njerëzit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



