Keshilla

Vera dhe ushqimet e prishura, një marrëdhënie që duhet ta shmangim

Periudha e verës është një ndër më të mirat për të konsumuar fruta dhe perime të ndryshme, por ashtu siç kujdesemi për mbrojtjen nga dielli, ashtu duhet të kujdesemi edhe për ushqimet që konsumojmë. Instituti i Shëndetit Publik, bëri me dije se duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj fenomenit të prishjes së ushqimeve, sidomos në këtë kohë që i nxehti Saharian ka prekur edhe vendin tonë.
Në një shpjegim më të detajuar, nutricionistja Anila Kalleshi, shpjegon për Gazetën “Si” për kujdesin që duhet të kemi kundrejt ushqimeve gjatë këtyre ditëve të nxehta.
Sipas saj në këto momente temperaturat e nxehta të stinës kanë arritur piku e tyre dhe mundësia e toksifikimeve nga ushqimet e ndryshme është shumë e madhe. Nutricionistja shpjegon se kjo ndodh si rezultat i shumëfishimit të baktereve, të cilat çlirojnë toksina dhe shkaktojnë mjaft probleme në organizëm, si këputje, të vjella, diarre, prerje barku, temperaturë e të tjera.

Anila Kalleshi

“Ushqimeve të cilave ne duhet t’i referohemi si toksike në ketë periudhe dhe qe duhet të kemi një kujdes shumë të madh janë bulmetrat, mishrat, peshqit dhe frutat e detit dhe vezët, frutat e detit ose peshkun të cilët nuk janë të gatuar, janë bartës të disa baktereve të cilat zhvillohen shpejt në temperaturat e larta. E njëjta gjë vlen edhe tek pula, e cila ka një përqindje të lartë për të qenë bartëse e salmonelës,” shprehet Kalleshi.
Siguria e ushqimeve është një çështje jetësore dhe konsumimi i produkteve, duhet të jetë në standarte sa më të mira për të mos pasur probleme shëndetësore. Kontaminimi i ushqimeve, gjatë verës është një ndër problematikat më të mëdha që amvisat( dhe jo vetëm) hasin në këto kohë. Duke marrë shkas nga problemet e shumta shëndetësore që mund të hasin nga ushqimet e prishura, përpos këshillave të ISHP Kalleshi tha për Gazetën “Si” se për të shmangur rrezikun e toksikimit, fillimisht duhet të konsumojmë ushqime sa më të freskëta. Ajo shpjegon që kujdes të veçantë duhet të kenë amvisat të cilat ngrohin, ftohin dhe ri-ngrohin ushqimet e mbetura të një dite më parë, duke krijuar kështu mundësinë e zhvillimit të baktereve.

“Një ushqim i gatuar duhet të konsumohet pak orë pas gatimit. Vezët kur blihen duhet të jenë shumë të freskëta, pasi ekspozimi në diell apo në temperatura të ngrohta i çon drejt prishjes të menjëhershme. Bulmetrat duhet t’i mbani në frigorifer në gjendje të freskët dhe të kontrollohen skadencat e tyre. Mishi dhe peshku duhet të ruhen në ngrirje dhe të nxirren nga frigoriferi pak kohë para se të gatuhen. Po, kështu shmangni frutat e detit dhe peshkun krudo si dhe mishrat duhet të gatuhen shumë,”shton Kalleshi
Ndër të tjera nurticionistja, na këshillon që gjatë kësaj stine të konsumojmë sa më shumë fruta dhe perime të stinës, të përdorim sa më shumë sallata dhe mos harroni të qëndroni të hidratuar.
“Uji ju pastron nga toksinat dhe ju mban të hidratuar. Shmangni ushqimet e proçesuara dhe ato që përmbajnë yndyra të ngopura,” shprehet ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë