Nga Gazeta Si - Vepra “Messa da Requiem” e Verdit vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si një premierë absolute.
Realizimi i kësaj vepre sjell në vëmendjen e publikut muzikën sublime dhe ndër krijimet më magjepsëse të Verdit. “Messa da Requiem” është një vepër unike për kor, solistë dhe orkestër, e cila u vu në skenë për herë të parë në vitin 1874.
“Messa da Requiem” nuk është një vepër vetëm muzikore, por trajton tema të rëndësishme mbi spiritualitetin, kërkimin e besimit të humbur, frikës nga vdekja, etj.
“Requiem” shquhet për strukturën e saj unike muzikore, për fuqinë ekspresive dhe mbase gjatë kompozimit të saj, Verdi i kërkonte Krijuesit t’i dilte për Zot fëmijëve të tij, që sipas tij i krijoi me aftësinë për të dashuruar, por edhe për të vuajtur.
Për të realizuar këtë vepër madhore, që do të vijë në skenë mbrëmjet e datave 21 dhe 22 tetor është bashkuar me korin e TKOB për herë të parë edhe kori Filarmonik i Kosovës.
Drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina, e cilësoi si kryevepra e kalendarit artistik këtë sezon.
“Kjo është një vepër hyjnore, e cila meditimi, personifikimi, nga koristi fundit tek solisti i parë është një lutje dhe dridhërimë, kjo është kryevepra e kalendarit artistik”, tha Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kësaj vepre, që këtë mbrëmje shënon premierën në skenë.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari vlerësoi këtë bashkëpunimin për veprën e “Verdit.
“Me sa mbaj mend ky është bashkëpunimi ynë i parë, ku dy trupat tona bashkohen në një. Një projekt gjigant”, tha ai ndër të tjera për këtë bashkëpunim me veprën.
Puna me veprën Orkestra simfonike e TKOB dhe Orkestra simfonike e RTSH, kori i TKOB dhe kori i Filharmonisë së Kosovës janë bërë bashkë për këtë vepër, por nuk mungojnë dhe artistë të huaj të ftuar. Dirigjent i orkestrës është Jacopo Sipari Di Pescasseroli dhe i korit Dritan Lumshi dhe Baki Jashari. Eva Golemi, Ivana Hoxha, Raffaele Abete, dhe Vittorio de Campo janë katër solistët e “Messa Da Requiem”.
Sopranoja Eva Golemi u shpreh se ka punuar për gati dy muaj për këtë vepër. “Është pika kulmore e një sopranoje. Është një rol tepër i vështirë për të cilin unë kam punuar gati dy muaj. Vepra më e vështirë me një dramaturgji të jashtëzakonshme”, u shpreh sopranoja Eva Golemi.
Ndërsa solisti Vittorio de Campo tha se kur u nis studimi i partiturës nuk ishte aq e lehtë.
“Një rol i madh dhe një koncert i madh. Kur filluam të studiojmë partiturën jo të gjithë e kishin të lehtë, por kur flasim për këtë vepër është bukur të jesh i zgjedhur mes kolegëve”, u shpreh ai.
“Requiem” i Verdit u kompozua pas një rekuiemi të shkruar për të nderuar vdekjen e kompozitorit të madh italian Gioachino Rossini për të cilin Giuseppe Verdi shkroi vetëm lëvizjen e fundit “Libera me”.
Katër vjet më vonë, me vdekjen e autorit dhe mikut Alessandro Manzoni, Verdi filloi të shkruante veprën e tij, “Messa da Requiem” për përvjetorin e vdekjes së Manzonit, 22 maj 1874.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.