Gazeta Si – Administrata Trump ka vendosur të sulmojë bazat ushtarake brenda Venezuelës dhe sulmet mund të ndodhin në çdo kohë, thanë burime të njohura me situatën për “Miami Herald”.
Sulmet e planifikuara, të raportuara gjithashtu nga “Wall Street Journal”, do të synojnë të shkatërrojnë bazat ushtarake të përdorura nga karteli i drogës “Soles”, për të cilin, Shtetet e Bashkuara besojnë se udhëhiqet nga presidenti Venezuelës Nicolas Maduro dhe menaxhohet nga anëtarë të lartë të regjimit të tij.
Trump nuk e ka mbajtur prej kohësh sekret dëshirën e tij për të ushtruar presion mbi regjimin e Karakasit pa përjashtuar veprimet ushtarake.
Burime i thanë “Herald” se objektivat, të cilat mund të goditen nga ajri brenda ditësh ose edhe orësh, synojnë gjithashtu shkatërrimin e hierarkisë së kartelit.
Zyrtarët amerikanë besojnë se karteli eksporton afërsisht 500 tonë kokainë çdo vit, të ndarë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Maduro do ta gjejë veten të bllokuar dhe së shpejti mund të zbulojë se nuk mund të largohet nga vendi, edhe nëse vendos ta bëjë këtë”, tha një nga burimet.
“Ajo që është më keq për të, është se tani ka më shumë se një gjeneral të gatshëm ta kapë dhe ta dorëzojë, plotësisht të vetëdijshëm se është një gjë të flasësh për vdekjen, por një tjetër ta parashikosh atë”.
Sipas “Wall Street Journal”, nëse presidenti Donald Trump vendos të vazhdojë me sulme ajrore, kjo do t’i dërgonte një mesazh të qartë udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro: është koha të largohet.
Edhe pse presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për një ndërhyrje të mundshme tokësore, burimet kanë theksuar se një fushatë ajrore do të përqendrohej në objektivat e konsideruara nga Uashingtoni si nyje kyçe në lidhjet midis regjimit të Maduros dhe rrjeteve të trafikimit të drogës.
Ndër vendet që po shqyrtohen, janë portet dhe aeroportet e kontrolluara nga ushtria, të cilat Shtetet e Bashkuara besojnë se përdoren për tranzitin e drogës.
Një nga qëllimet kryesore të mandatit të dytë të Trump, është të ndalojë rrjedhën e narkotikëve në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht fentanilin, i cili është përgjegjës për dhjetëra mijëra vdekje çdo vit.
Uashingtoni po vendos fuqi ushtarake të paparë në Karaibe. Ditët e fundit, Trump dërgoi një anije raketore në Trinidad dhe Tobago, një ishull vetëm dhjetë milje larg bregdetit të Venezuelës, me pretendimin për stërvitje të përbashkëta ushtarake. Aeroplanmbajtësja “Gerald Ford” është gjithashtu në rrugë drejt Amerikës së Jugut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



