Politike

Venecia rrëzon pr.ligjin për pronat: Ka paqartësi, shkel të drejtat e njeriut

Komisioni i Venecias rrëzon projektligjin e qeverisë përsa i përket tokave bujqësore dhe titujve të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi, duke i sugjeruar Kuvendit që t’i bëjë draftit disa korrigjime. Paqartësia dhe hapësira e madhe rregulluese në kohë, që shkon dhe në prekjen e ligjit 7501 “Për tokën” janë disa nga arsyet e këtyre vërejtjeve të Venecias.
“P/ligjit në versionin e tij aktual i mungon qartësia dhe saktësia për shkak të mungesës së përkufizimeve dhe fuqisë rregulluese shumë të gjerë për Këshillin e Ministrave, mungesës së hapave themelorë procedurial dhe afateve të përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve. Ekziston një rrezik i lartë që p/ligji të mund të krijojë probleme pajtueshmërie me nenin 1 të Protokollit të Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe dispozita të tjera, si dhe me Kushtetutën shqiptare. Në veçanti, Nenet 7 dhe 9 të p/ligjit janë në thelb të paqarta dhe të pasakta, prandaj mbajnë një rrezik të lartë që zbatimi i tyre do të çojë në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", thuhet në këtë projekt raport.

Faksimile e raportit të komisionit të Venecias


Gjithashtu shikohet një përplasje që projektligji mund të sjellë me të drejtën që kanë institucionet për anulimin e titujve të pronësisë për tokat bujqësore, njohura si AMTP. “Të përcaktohen në p/ligj rregullat për paraqitjen e provave, aksesin në prova dhe të drejtën për t'u dëgjuar para vendimit të autoriteteve për të shpallur të pavlefshëm AMTP”, thuhet në rekomandimet e Venecias.
Anëtarët e delegacionit krijuan përshtypjen se edhe pse kthimi në natyrë (i tokës në pronësi të mëparshme) është parashikuar në ligj, sipas këtij raporti, edhe kur ka qenë e mundur, institucionet përgjegjëse do të zgjidhnin më shumë opsionin e kompensimit, duke mbajtur shpesh tokën në dispozicion si pronë e shtetit për t'u përdorur për programet shtetërore.

Faksimile e raportit të Venecias, konkluzionet për p/ligjin e pronave


Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, do të ishte e dobishme nëse autoritetet të kryejnë studime të hollësishme mbi shkaqet e mangësive të kornizës aktuale legjislative ndoshta me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare dhe të vlerësojnë ndikimin në aspektin e buxhetit dhe burimeve njerëzore të reja projektligji. Për të kërkuar mbështetje specifike praktike në kuadrin e veprimeve tashmë ekzistuese të Këshillit të Evropës, aktivitetet e bashkëpunimit do të këshillohen për hartimin e legjislacionit, si dhe për zbatimin. Për këtë vetë Venecia ofron ndihmën me ekspertët e saj ligjorë.
Opinioni në fjalë pritet të miratohet nga Komisioni i Venecias në sesionin plenar të 11 tetorit, ku mazhoranca do të mbrohet me kreun e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, ndërsa prezent do të jetë edhe kreu i Kadastrës, Artan Lame.

Reagimi i PD-së, Tabaku: Ligji nuk i kthen pronat
Pas publikimit të raportit të Venecias ka ardhur edhe reagimi i ish-deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, e cila deklaroi se kjo vërteton se ligji i qeverisë i miratuar në vitin 2015 nuk realizon kthimin e pronave.
“Draft opinioni i Komisionit te Venecias i Publikuar sot perveçse rrëzon skemën e qeverisë për ligjin e Finalizimit të Procesit të transferimit të pronësisë jep dhe një vleresim të rëndësishëm për Ligjin e Vitit 2015 të kompensimit të pronës. Megjithëse nuk është në mandatin e tyre Komisioni Venecias i ka dhënë një përgjigje të merituar qeverisë që në 6vjet ka marrë mbi 3 iniciativa të kthyer në ligj me subjekt pronën. Media raporton se në vendimin paraprak të Komisionit të Venecias evidentohet qartësisht problematika me kthimin e Pronës tek pronarët legjitim. Komisioni vë në dukje çfarë opozita ka vite që e përmend. Qeveria nuk i rikthen pronën tek i zoti pasi dëshiron ta përdorë për interesa gjoja publikë, praktikisht i mohon një të drejtë të njohur pronarit duke e mbuluar me klauzolën publike që në thelb është interes privat i kryeministrit”, shprehet Tabaku në reagimin e saj.

Jorida Tabaku, ish-deputete e PD-së


Përmes rrjeteve sociale Tabaku thekson se kjo skemë e njohur për qytetarët e Tiranës, sepse është përdorur rëndom nga kryeministri kur qe kryetar bashkie, është rrëzuar tashmë edhe nga Komisioni Venecias. “Ligji i vitit 2015 nuk është eficent, nuk njeh konceptin e pronës dhe është dhe ka mospërputhje me konventat ndërkombëtare. Mekanizmini i vitit 2015 është antikushtetues, shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën e pronës. Beteja për pronën është një nga ato nisma që do të shndërrohen në ligje në interes të qytetarëve ditën e parë të PD-së në qeveri. Zaptimi i pronës private e publike, ligjet speciale që cenojnë të drejtën e pronës, ligjet e teatrit dhe te aeroportit të Vlorees që shkelin dhe MSA-në, ligje si ai i investimeve strategjike dhe korporatës së investimeve që janë qartazi klienteliste edhe kanë cenuar rëndë të drejtën e pronës!”, mbyll Tabaku reagimin e saj.

Faksimile e raporit të Venecias

REKOMANDIMET E KOMISIONIT TË VENECIAS
- Të përcaktohet natyra deklaruese e aktit të regjistrimit të titujve, veçanërisht AMTP, në projektligj.
- Të rishikohen nenet 7 dhe 9 dhe artikujt në lidhje me to, duke marrë parasysh që titujt bujqësorë në formën e AMTP si dhe përdorimi i vazhdueshëm i tokës me shpresën e ligjshme për t'u pajisur me AMTP përbëjnë pronë të mbrojtur sipas nenit 1 të protokollit 1 të KEDNJ.
- Të përcaktohen në vetë p/ligjin mangësitë që parandalojnë vërtetimin e AMTP-ve, si dhe të kufizohen hapësirat rregulluese në dispozicion të Këshillit të Ministrave në nivelin strikt të domosdoshëm.
- Të parashikohen në p/ligj afate të sakta për mbajtësit e titujve dhe hapat themelorë procedurialë, veçanërisht kur lidhen me transferimin e titujve të pronave bujqësore.
- Të përfshihen në p/ligj përcaktimet thelbësore për titujt e pronave bujqësore.
- Të përcaktohen në p/ligj rregullat për paraqitjen e provave, aksesin në prova dhe të drejtën për t'u dëgjuar para vendimit të autoriteteve për të shpallur të pavlefshëm AMTP.
- Të zhvillohen konsultime publik me të gjitha palët e interesuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë