Ka ndodhur

Vendosën muzikë të lartë, procedohet penalisht pronari i lokalit dhe 3 muzikantë në Korçë

Katër persona janë vënë nën hetim nga policia e Korçës, pasi prishën qetësinë publike dhe shqetësuan banorët duke vendosur muzikë të lartë në ambientet e një lokali.

Nga kontrollet e ushtruara në disa lokale në Korçë, me qëllim parandalimin e muzikës së lartë është konstatuar një rast i paligjshmërisë në këtë fushë.

Në një lokal në lagjen nr. 4, Korçë, është konstatuar muzikë e lartë dhe policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë, për shtetasit M. Z (pronari i lokalit), A. H; A. Zh. dhe M. Ç., muzikantë në këtë lokal.

Gjithashtu gjatë verifikimeve të kryera rezultoi se tre muzikantët nuk ishin të deklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore, si të punësuar në këtë lokal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë