Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për një bllokim të vizave amerikane për qytetarët shqiptarë, duke i cilësuar ato si spekulime politike pa asnjë bazë reale.
“Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi”, theksoi Spiropali në një reagim publik gjatë udhëtimit drejt Kievit.
Ajo sqaroi se vizat turistike, studentore, për biznes, vizita familjare apo evente profesionale vijojnë normalisht dhe se askush nuk ndalohet të udhëtojë drejt SHBA-ve. Sipas saj, ajo që ka ndryshuar lidhet vetëm me politikat e qëndrimit dhe imigracionit.
“Rregullat e qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit, por kjo nuk është një masë që targeton Shqipërinë”, deklaroi ministrja.
Spiropali bëri të ditur se rishikimi i procesimit të vizave për qëllime imigrimi prek rreth 75 vende, përfshirë edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor, dhe është pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me sistemin e migracionit.
“Nuk ka asnjë ‘listë të zezë’, asnjë ndalim dhe asnjë masë ndëshkuese ndaj Shqipërisë apo shqiptarëve”, theksoi ajo, duke i quajtur pretendimet për “nongrata imagjinare” si fabrikime politike.
Sakaq, Spiropali shkruan se Shqipëria mbetet një aleat dhe partner strategjik i Shteteve të Bashkuara.
“Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh“, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



