Deputetja e PD-së Rudina Hajdari, ka pranuar se vendimi për të mos dorëzuar mandatin parlamentar, siç bënë kolegët e saj, ka qenë shumë i vështirë.
Vajza e ish-themeluesit të PD-së, Azem Hajdari ka pohuar se vendimi nuk ka aspak lidhje me karrierën e saj personale apo me rrezikun që mamaja e saj gjyqtare mund të haste përpara procesit të Vettingut.
“Mu desh kohë ta merrja. Arsyetova me veten se ku do më çonte ky vendim, çfarë kosto do kishte për vendin. Nuk e mendova në asnjë moment se çfarë kostoje do kishte për mua. Më thanë që duhet të pozicionohesh mirë në PD nëse do një karrierë të gjatë politike dhe unë hezitova e thashë nuk është kjo arsyeja përse jam këtu, – u shpreh deputetja për emisionin “A show”. – Mamaja ime ka jetën e saj, Vettingu dhe reforma në drejtësi ka marrë rrugën e saj. Nuk ndikoj dot në këtë proces. Mamaja ime ka qenë gjyqtare para se unë të hyja në politikë”, tha ajo më tej, duke pohuar se është edhe nënshtetase amerikane.
Në lidhje me një rekomandim të mundshëm nga ambasada amerikane për arsyet e vendimit për të mos djegur mandatin, Rudina Hajdari tha se është konsultuar me familjen dhe partnerët ndërkombëtar.
“Ishte një vendim shumë i vështirë. Nuk është personal, por ka të bëjë me interesin e Shqipërisë. Po patjetër që e mora vetë. Patjetër që jam konsultuar. Jam konsultuar me familjen time, nuk është e thënë se kanë qenë pro. Me njerëz të afërt e partnerë ndërkombëtarë”, tha ajo.
Mes të tjerash Hajdari shton se me vëllezërit e saj ka një marrëdhënie shumë të mirë, duke pohuar se edhe ata dhanë mendimin e tyre për vendimin e saj.
Hajdari thotë se është e pamundur të përjashtohet nga partia: “Vetëm nëse demokratët më thonë nuk të votojmë më. Kjo shihet tek vota. Askush nuk mund të më nxjerrë nga Partia Demokratike. Unë dhe PD kemi një histori shumë të hershme. Unë kam lindur me dy gishta lart, kam lindur me fanellat e PD, kam lindur nëpër mitingje. Kam lindur duke kërkuar që Shqipëria të jetë si gjithë Europa”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




