Politike

PD e Rithemelimit jep votat për amnistinë penale me kushte (Ulsi Manja e përshëndet)

Grupi Parlamentar i PD-së së Rithemelimit ka mbështetur paketën e propozuar nga qeveria për amnistinë penale, por me tre kushte, dy prej të cilave tanimë kanë marrë konsensusin paraprak nga PS.  

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.

 Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit”, thuhet në njoftimin zyrtar të PD-së.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka përshëndetur vendimin.

"Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj aministie.

Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale.

Së fundmi nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit - kur turbullia e një pjese të parlamentit e bënte aministinë të dukej e pashpresë - Aministia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve!

Nuk thotë kot populli, i duruari i fituari dhe le të shërbejë ky zhvillim pozitiv edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë" shkruan Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë