Drejtësia

Vendimi i Strasburgut për Thoma Gëllçin, Dumani akuzon Avokatin e Shtetit

Gazeta Si – Altin Dumani ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi, e cila konstatoi se arrestimi dhe paraburgimi i tij nga SPAK ishin të paligjshëm dhe në shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Dumani u tha gazetarëve se SPAK nuk është kontaktuar asnjëherë nga Avokatura e Shtetit gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në Strasburg.

Sipas tij, GJEDNJ ka konstatuar se Gëllçi është vetëdorëzuar, ndërkohë që në dokumentacion tregohet se ai është arrestuar nga policia.

“Prokuroria e Posaçme nuk është kontaktuar në asnjë moment nga Avokatura e Shtetit gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në GjEDNJ. As nuk iu kërkua informacion, as nuk iu kërkua dokumentacion mbi ecurinë e hetimeve. Kjo ka kufizuar ndjeshëm aftësinë e SPAK për të paraqitur qëndrimin e tij për masën e sigurisë dhe rrethanat përkatëse. Po ashtu gjykata e europiane e te drejtave të njeriut ka konstatuar se Thoma Gëllçi është vetëdorëzuar, ndërkohë që dokumentacioni zyrtar tregon se ai është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Shtetit, pas caktimit të masës së sigurimit në mungesë”, tha Dumani, sipas të cilit “kjo është një pasaktësi faktike me ndikim në vlerësimin e proporcionalitetit të masës”.

Sipas Strasburgut, paraburgimi me më shumë se 7 muaj dhe zgjatja e afateve të paraburgimit ishin në shkelje të nenit 5 pika 3, të Konventës Europiane për të drejtat e njeriut, në të cilën thuhet: “Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor”.

Gëllçi u arrestua në tetor të vitit 2021, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender gjatë kohës që drejtonte Radio Televizionin Shqiptar.

Ai u vendos në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me argumentin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme.

Por, Gjykata e Strasburgut e rrëzoi këtë argument, duke konstatuar se autoritetet nuk dhanë prova konkrete për të mbështetur pretendimet e tyre për paraburgimin, se argumentet e përdorura për arrestimin ishin të përgjithshme dhe të pambështetura dhe se prokuroria nuk ndërmori asnjë veprim hetimor të rëndësishëm gjatë periudhës së paraburgimit, duke e mbajtur atë në izolim pa arsye të justifikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë