Prokurori Besnik Cani që fitoi betejën e parë me drejtësinë në Strasburg nuk do të kthehet në detyrë, por do të ketë të drejtën që të rihapë procedurat e vettingut pas vendimit të gjykatës.
Në argumentimet e vendimit në favor të Besnik Dacit i mbrojtur nga avokati Eduard Halimi, Gjykata nënvizon ndër radhë se kishte një pretendim të argumentueshëm për një shkelje të dukshme të ligjit që kishte ndikuar negativisht në emërimin e Luan Dacit si gjyqtar, një nga tre anetarët e KPA-së që vendosi për shkarkimin e Besnik Dacit.
Gjykata arrin në përfundimin se ka pasur shkelje të nenit 6 paragrafi 1 i Konventës për faktin se Luan Daci u ul në bankën e KPA dhe shqyrtoi çështjen e kërkuesit në këtë rast Besnik Canit.

Me 6 vota pro dhe 1 kundër ‘Strasburgu’ vendosi se vendimi është i padrejtë, ndaj dhe çështja duhet të rikthehet për gjykim.

“Rrjedhimisht, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë dhe në masën që mund të jetë e mundur sipas ligjit, forma më e përshtatshme e dëmshpërblimit për shkeljen e së drejtës së ankuesit sipas nenit 6, 1 të Konventës do të ishte rihapja e procedurave, nëse aplikanti kërkon një rihapje të tillë, dhe rishqyrtimi i çështjes në një mënyrë që është në përputhje me të gjitha kërkesat e nenit 6, 1 të Konventës.
Së fundi, kërkuesi kërkoi që Gjykata të anulonte vendimin e KPA -së të datës 27 shkurt 2020 dhe të urdhëronte Qeverinë ta rivendoste atë menjëherë në detyrën e tij të mëparshme. Në funksion të juridiksionit të saj dhe natyrës së shkeljes që u konstatua në lidhje me procedurat e verifikimit të kërkuesit, Gjykata e refuzon këtë kërkesë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjykata nënvizon gjithashtu se vendimi që ajo ka lëshuar nuk lidhet me vettingun si proces por me një rast individual.
Luan Daci ish-anëtar i KPA (ku u mor edhe vendimi për shkarkimin e Besnik Canit) u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që të mos ushtrojë funksione publike.
Hetimet e SPAK ndaj tij bindën gjykatën e posaçme kundër krimit e korrupsionit dhe Apelin ta dënojnë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA.
Në anën tjetër Prokurori Besnik Cani, ish anëtar i KLP, u shkarkua nga detyra marsin e vitit 2020 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, nje proces ky që do të përsëritet bazuar në vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




