Politike

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Rama: Do ta vazhdojmë betejën kundër marrjes peng të qeverisë

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama, e quajti “shembull i parë i një budallallëku botëror”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la na fuqi para dy ditësh vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut, e marrë e pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre.

Në podkastin e tij të fundjavës “Flasim”, Rama tha se “pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion… Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, një vendim po aq të nevojshëm”, tha Rama.

Ai ka shtuar “se lajthitja e drejtësisë së re”, po krijon kosto për këtë shumicë qeverisëse. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, “nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare”.

Sidoqoftë për Ramën, “zhbërja e kësaj shpikje 100 për qind Made in Albania e drejtësisë së re, dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë e ekzekutivit dhe Parlamentit nga pushteti gjyqësor. Kështu që ne do ta vazhdojmë këtë betejë”, tha Rama

Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve. “Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.

Sipas tij, “gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë