Politike

Vendimi i GJK, Veliaj: Do bëj gjithçka që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga burgu për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi qeverinë, duke e lënë atë në detyrë.

Në një postim në Facebook, Veliaj e cilëson atë një fitore për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve. Sipas tij vendimi nuk i rikthen mandatin atij personalisht, por popullit të Tiranës.

“Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij. Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.  Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua”, shprehet Veliaj.

Ai thekson se do të bëjë gjithçka mundet që puna të vijojë dhe të mos pengohet në ushtrimin e mandatit.

Kujtojmë se me një vendim 5 vota pro e 3 kundër, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Kushtetuesja argumentoi se Veliaj nuk u pyet duke iu mohuar një proces i rregullt ligjor. Ndërsa thekson se një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm sipas nenit 115 të ligjit themeltar për një shkelje të rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë