Politike

Vendimi i DASH, Basha: Keqardhje, duam transparencë dhe fakte, Berisha me kontributin më të çmuar

Disa orë pas publikimit të vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk doli në një deklaratë zyrtare për mediat, por postoi një qëndrim në Facebook.

Basha e filloi reagimin me fjalët e Berishës se ndihet i keqardhur me vendimin e Sekretarit të Shtetit, dhe po njësoj si Berisha, ai kërkon transparencë të plotë mbi cdo fakt dhe dokument që ka lidhje më këtë vendim.

Basha bën një panoramë lavdëruese të punës së Berishës si ish-kryeministër duke mbrojtur reformat gjatë asaj qeverisje, thotë gjithashtu se ky vendim nuk cenon arritjet nën drejtimin e Berishës dhe mbi të gjitha, ai nënvizon se marrëdhëniet mes PD-së dhe SHBA nuk do të ndryshojnë pas këtij vendimi.   

“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin  Sali Berisha. 

Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. 

Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.

Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Basha në Facebook.

“Për fat të keq, vijon ai, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian”.

“Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vëren ai.

“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.

Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, mbyll reagimin Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë