Gazeta Si - Të premten Gjykata e Romës nuk la në fuqi dekretin e ndalimit të 12 emigrantëve që ndodheshin në Shqipëri në qendrat e diskutueshme të azilkërkuesve të ndërtuara atje nga Italia.
Orët e fundit qeveria italiane ka sulmuar gjykatën me tone shumë të ashpra, duke e akuzuar atë se ka marrë një vendim me karakter politik.
Edhe ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio tha se sipas tij gjyqtarët e Romës morën një vendim që ishte jashtë kompetencës së tyre.
Në realitet, Gjykata e Romës thjesht konformoi një vendim të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, që ka të bëjë pikërisht me kategorinë e personave që Italia transportonte drejt qendrave në Shqipëri.
Në fakt, qeveria italiane ka vendosur që vetëm emigrantët që vijnë nga vendet që ajo i konsideron "vendet e sigurta të origjinës" mund të shkojnë në qendrat në Shqipëri, domethënë që respektojnë liritë dhe të drejtat civile dhe kanë një sistem demokratik (ky është një përkufizimi i parashikuar nga rregulloret aktuale të Bashkimit Evropian për Migracionin).
Në thelb: vende nga të cilat njerëzit nuk kanë arsye të bazuara për të ikur dhe për të kërkuar azil në Itali. Për këtë arsye, prej një viti e gjysmë, Italia ka parashikuar për emigrantët që vijnë nga vende “të sigurta” një procedurë të përshpejtuar të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil, e cila përfshin një ekzaminim të përmbledhur dhe mbi të gjitha ndalimin në një qendër emigrantësh.
Për më tepër, personat e destinuar për në qendrat në Shqipëri duhet të jenë burra me shëndet të mirë dhe jo gra, fëmijë apo njerëz të brishtë.
Qeveria së fundmi zgjeroi listën e vendeve që i konsideron të sigurta, duke përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, dy vende nga të cilat mijëra azilkërkues mbërrijnë në Itali çdo vit. Të 12 personat në Shqipëri vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (PDF), është dhënë më 4 tetor dhe nuk ka të bëjë me Italinë, as me Egjiptin dhe Bangladeshin, por është shprehur me kërkesë të Republikës Çeke në lidhje me rastin e një shtetasi moldav.
Burri kishte kërkuar azil në Republikën Çeke, ku Moldavia konsiderohet një "vend i sigurt" me përjashtim të Transnistrisë, brezi i tokës në kufirin me Ukrainën, i konsideruar jashtë kontrollit të qeverisë moldave.
Kërkesa e tij u refuzua, por duke qenë se azilkërkuesi në të vërtetë vinte nga Transnistria, gjykata rajonale e Brno-s kërkoi mendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për të kuptuar nëse ai mund ta konsideronte vërtetë Moldavinë një vend "të sigurt".
Një element tjetër që vuri në pikëpyetje statusin e Moldavisë si një vend i sigurt, ishte fakti se vendi kishte kërkuar të shmangte detyrimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), traktati më i rëndësishëm evropian në fushën e të drejtave të njeriut. Është një klauzolë e parashikuar në nenin 15 për vendet në luftë ose në situata të tjera emergjente.
Pyetjet për të cilat Gjykata duhej të shprehte mendimin e saj, ishin tre: nëse një vend mund të konsiderohet i sigurt vetëm në disa pjesë të territorit të tij; nëse mund të konsiderohet i sigurt pavarësisht se i është drejtuar nenit 15 të KEDNJ; dhe nëse është e nevojshme, organet kompetente gjyqësore duhet të rishikojnë kualifikimin e "vendit të sigurt" kur plotësohen një ose të dy nga dy kushtet e para.
Gjykata vendosi se një vend nuk pushon së qeni i sigurt vetëm sepse i është drejtuar nenit 15 të KEDNJ-së, por për të qenë i sigurt, duhet të jetë i sigurt në të gjithë territorin e tij në mënyrë homogjene dhe për të gjithë njerëzit që jetojnë atje.
Ajo gjithashtu vendosi se kualifikimi i një vendi të sigurt duhet të verifikohet dhe rishikohet nga një gjyqtar në momentin e çdo vendimi, thjesht miratimi i një liste të vendeve të sigurta nga një shtet nuk mjafton.
Në bazë të të gjitha këtyre deklarimeve, Gjykata e Romës bëri të ditur se nuk mund të vërtetonte ndalimin e emigrantëve pikërisht në bazë të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të 4 tetorit, sepse Bangladeshi dhe Egjipti nuk janë vende në të cilat respektohen të drejtat, janë të garantuara në të gjithë territorin dhe ndaj çdo kategorie njerëzish.
Në të dy vendet, aktivistët politikë të opozitës shpesh persekutohen dhe ka ligje shumë të rrepta kundër atyre që i përkasin komunitetit LGBTQ+.
E drejta e Bashkimit Evropian ka epërsi mbi ligjin italian, sipas Kushtetutës dhe për këtë arsye Gjykata e Romës hodhi poshtë vlefshmërinë e ndalimit të 12 emigrantëve, duke argumentuar se vendet e tyre të origjinës nuk mund të përkufizohen si "të sigurta" dhe qeveria italiane nuk mund të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil me "procedurën e përshpejtuar", e cila përfshin ndalimin. Për këtë arsye, gjykatësi urdhëroi lirimin e tyre.
Bazuar në këtë interpretim të Gjykatës së Romës, i gjithë projekti për të “kontraktuar” menaxhimin e emigrantëve në Shqipëri – për të cilin kryeministrja Giorgia Meloni ka shpenzuar shumë – rrezikon të komprometohet.
Shumica dërrmuese e emigrantëve që tentojnë të mbërrijnë në Itali nga deti, vjen nga vende në luftë ose ku dhuna është e përhapur, ose nga vende të cilat, sipas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë, vështirë se mund të përkufizohen si "të sigurta". Kjo është arsyeja pse reagimet e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Romës ishin kaq të ashpra.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.