Nga Gazeta 'Si'- Qeveria do shpërblejë punonjësit e Gardës së Republikës në raste fatkeqësish familjare, dëmtimesh fizike gjatë detyrës dhe raste të tjera të ngjashme, si dëmtimi i pronës së tyre për shkak të detyrës.
Ky shpërblim do ndahet në numër pagash dhe vendoset nga një Komision i posaçëm.
Ajo që bie në sy është fasha e vendimit që flet për shpërblimin e gardistëve gjatë dëmtimeve në krye të detyrës, ku përfshihet ruajtja e personaliteteve apo shpëtimi i jetës së tyre nga incidentet e mundshme.
Për këtë rast parashikohen 2-3 paga shpërblime, ashtu sikurse edhe në rastet e vdekjeve në familje, ku parashikohet të ndihmohen me 2 paga mujore.
Punonjësi i Gardës së Republikës do të përfitojë në vit një shpërblim deri në masën e tri pagave mujore neto për rezultate të larta të arritura gjatë kryerjes së detyrës.
Gjithashtu punonjësi i Gardës së Republikës, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës private për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare, sipas akteve të vlerësimit të dëmit, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.
Vendimi është marrë sot (4 Dhjetor) në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe hyn në fuqi pas daljes në Fletoren Zyrtare. Aplikimi, pra efektet e tij, fillojnë nga 1 Janari i vitit të ardhshëm (2025).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.