“Australian Open” do të jetë turneu i parë Slam, ku do të marrin pjesë vetëm tenistët e vaksinuar. Shteti i Viktorias, ku është kryeqytet Melburni, ka vendosur që të lejojë hyrjen në territorin e vet vetëm të punonjësve të autrorizuar rregullisht dhe të vaksinuar të paktën me dozën e parë kundër Covid-19.
Kryeministri Dan Andrjus ka shpjeguar se me vendim të përgjegjësit të departamentit të shëndetit, të gjithë punonjësit që do të vijnë në Melburn dhe në shtetin e Viktorias “duhet të kenë bërë dozën e parë të vaksinës jo më vonë se 15 tetori”. Dhe dozën e dytë jo përtej 26 nëntorit.

“E dimë që vaksina është mbrojtja jonë më e mirë, – ka thënë Andrjus, – për ata, familjet e tyre dhe gjithë vendin”. Sipas “Fox Sports Australia”, në listën e personave që duhet të tregojnë çertifikatën e vaksinës hyjnë edhe sportistët profesionistë, si dhe ata që bëjnë të mundur aktivitetin e tyre sportiv, apo personali i televizioneve që duhet për të transmetuar këtë sport.
Nuk mjaftojnë tamponët negativë për të zbritur në fushë: Australia që ka pasur edhe masat më të rrepta shtrënguese për të përballuar pandeminë, nuk bën asnjë tolerim. Edicioni 2022 i Melburnit do të mbahet nga 17 deri më 30 janar. Më parë do të zhvillohen “ATP Cup” dhe turnetë përgatitorë për Slam-in e parë sezonal, që duke përjashtuar ndonjë surprizë, do të jetë i pari vetëm për sportistët e vaksinuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




