Gazeta Si – Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka përfunduar vlerësimin e gjashtë kandidatëve në garë për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas vlerësimit të kandidatëve, Asim Vokshi rezulton i pari me 89.5 pikë e ndjekur nga Naureda Llagami me 89.3 pikë. Florian Ballhysa është vlerësuar me 77.83 pikë, Alma Faskaj me 77.77 pikë, Genta Tafa (Bungo) me 75.44 pikë dhe Alban Toro me 74.22 pikë.
Tashmë pritet që KED të miratojë raportin e arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes përfundimtare të tyre, me qëllim dërgimin e tij më pas te organi i emërtesës, Gjykata e Lartë.
Në total pati 13 kandidatë që shfaqën interes për plotësimin e vakancës si rezultat i mbarimit të mandatit të Holta Zaçajt, por vetëm 6 prej tyre u kualifikuan.
Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të vitit të kaluar mbarimin e mandatit të kryetares Zaçaj. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj.
Mandati i Holta Zaçajt shkaktoi përplasje publike mes asaj personalisht dhe Gjykatës së Lartë. Zaçaj nguli këmbë se do të ikte në fund të vitit 2025, ndërsa Gjykata e Lartë, kërkoi që të largohej në mars të këtij viti.
VLERËSIMI KANDIDATËVE
1) Asim Vokshi 89.5 pikë;
2) Naureda Llagami 89.3 pikë;
3) Florian Ballhysa 77.83 pikë;
4) Alma Faskaj 77.77 pikë;
5) Genta Tafa (Bungo) 75.44 pikë;
6) Alban Toro 74.22 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



