Irena Beqiraj
Vendi ku njeriu edhe mushkonja kanë një të përbashkët, mund t’i vrasësh me një gazetë!
Letra e mëposhtme pretendohet se i është dërguar Albert Ajnshtajnit nga universiteti Bern-s, ku ai informohej se aplikimi i tij për doktoraturë nuk kishte qenë i suksesshëm. Në letër po ashtu kritikohet teoria e tij tashmë e famshme e relativitetit si " një teori më shumë artistike sesa fizikë aktuale".
Letra qenkësh nënshkruar nga Prof Wilhelm Heinrich, dekan i Fakultetit të Filozofisë dhe Shkencave të Natyrës të Universitetit të Berns.
Kjo letër ka disa vite që qarkullon në rrjetet sociale si ngushëllim për dështimet njerëzore duke u sjellë si shembull vetmotivimi e kofidence.
Por, dy elementë e bëjnë këtë letër një "falsifikim relativisht të papërpunuar" edhe pa shumë përpjekje për ta bërë atë të besueshme.
E para, në 1907 nuk përdorej vulë e këtij formati. Ky format u përdor për herë të parë në Amerikë në vitin 1979.
E dyta, asnjë letër korrespondence nuk kishte pse të shkruhej në anglisht në 1907, aq më tepër nga një universitet ku flitej gjermanisht edhe kur letra i drejtohej një gjermanisht - folësi .
Në vitin 2016, Universiteti i Bern-s botoi një artikulli në revistën e tij online, ku Niklaus Butikofer, arkivist i Universitetit të Berns-it, sqaroi për më tepër se universiteti "asnjëherë nuk ka pasur një dekan - madje as një lektor - të quajtur Wilhelm Heinrich.
Ju deshën vite Universitetit te Bernsit të davariste tymnajën e ngritur nga ky falsifikim " qëllim mirë" i cili më së shumti shpërndante mesazhin që "edhe në tunelin e errët të dështimit ka shpresë.
Po në një vend ku "inovacioni" në falsifikim, gënjeshtra apo prodhimin e lajmeve të rreme është i zhvilluar, ku të vërtetat tirren, stërhollohen, përgjysmohen, trashen, apo edhe fabrikohen, ku faktet përdoren kur lipsen, edhe injorohen kur duhen përdorur, ku askush nuk cuditet që viktima , ministri , drejtori , gazetari , diploma , doktoratura , vërtetimi , mund te blihen e shiten lehtësisht , sa mundësi ka në një vend të tillë të të mos cënohet reputacioni?
Në një vend të tillë reputacioni i njerëzve apo edhe institucioneve bëhet i ngjashëm me një mushkonjë, mund "ta vrasësh e ta thërmosh" me një gazetë. Këtu mund të "mbijetojnë" vetëm "të shkathtit", edhe "të padukshmit"!
Kështu ,ndershmëria kthehet në "një sëmundje" e rëndë paralizuese, demoralizuese, e cila duhet shmangur, duke përvetësuar një orë e më parë "Kulturën e gënjeshtrës".
Në një shoqëri të tillë nuk ka më asnjë rëndësi publike në anën e kujt është e vertëta , pasi ka marrë fund shpresa!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.