Analize

Vendet që do ta ndihmojnë Shqipërinë për negociatat në tetor

Edhe pse beteja që e pret Shqipërinë në tetor nuk është e lehtë, Tirana dhe Shkupi duket se do të kenë në anën e tyre disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian të cilat janë zotuar se do të lobojnë me çdo mjet në vjeshtë për hapjen e negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sikur mos të mjaftonte kriza e brendshme politike në Shqipëri, zgjerimi ka të ngjarë të zbresë sërish në fund të agjendës së BE-së, kur Komisioni i ri Europian të fillojë punën në tetor, pasi diplomatët e BE-së janë të sigurtë se shqetësimet e vendeve të Ballkan nuk do të kryesojnë agjendën e BE-së, e cila ka të ngjarë të fokusohet tek çështje si Brexit, emigracioni, sundimi i ligjit.

Por diplomatët e Vendeve të Vishegradit, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia thonë se në tetor do të jenë ata do të kryesojnë kauzën e zgjerimit të BE-së dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda Komisionit të ri.

"Polonia është një avokate e madhe e zgjerimit sepse e cilëson si nga politikat më të suksesshme të BE-së," thotë diplomatja e Ministrisë së Jashtme polake, Magdalena Czubala.

"Për ne, projekti Europian do të jetë i përfunduar vetëm kur Ballkani Perëndimor të bashkohet me unionin."

Donald Tusk dhe liderët e Vendeve të Vishegradit. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Në fakt Polonia është një zë i rëndësishëm që mbqshtet rëndësinë strategjike që ka rajoni në forumet e BE-së.

"Ne duhet të mbështesim zhvillimin e rajonit dhe ta ruajmë atë në familjen tonë, dhe të mos lejojmë që fuqitë e jashtme të kërcënojnë stabilitetin dhe paqen," thekson Czubala, duke shtuar se Varshava zyrtare "do të luftojë me çdo mjet muajt e ardhshëm për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut".

Të njëjtin qëndrim duket se kanë edhe zyrtarët dhe diplomatët në Bratisllavë, Budapest dhe Pragë, edhe pse të qeveritë e këtyre vendeve janë të vetëdijshme se kërkesat e tyre nuk ka të ngjarë të merren parasysh nga Brukseli zyrtar. Ato duan që negociatat të hapen në tetor, edhe pse atmosfera e ërgjithshme brenda unionit nuk duket edhe aq pozitive.

"Katërshja e Vishegradit nuk ka fuqi të mjaftueshme lobuese", thotë Istvan Szent-Ivanyi, ish-zyrtar në Ministrinë e Jashtme hungareze dhe ish-ambasadori hungarez në Slloveni. "Në Evropën Perëndimore nuk ka interes real ekonomik për zgjerim të mëtejshëm dhe paralelisht me të, Ballkani duket se është lodhur nga premtimet boshe."

Këto vende ka qenë përgjatë muajve që lamë pas shumë këmbëngulëse për t'i kthyer përfundimisht fjalët në vepra në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe hapjen e negociatave, për dy arsye: së pari, solidaritetin dhe së dyti, strategjinë ekonomike dhe të sigurisë. "Ne duam të ndajmë përvojën tonë të fituar gjatë transformimeve demokratike dhe ekonomike dhe pranimit tonë në Bashkimin Europian", thotë ministri polak i Punëve të Jashtme Jacek Czaputowicz. “Prandaj, presidencat e Këshillit të BE-së Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë e kishin integrimin e Ballkanit Perëndimor në rendin e ditës.”

Ministri i Jashtëm çek Tomáš Petříček i bëri thirrje BE-së kohët e fundit bëri të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Të dyja vendet kanë bërë përparim dhe duhet t'u jepet një mundësi për të ndërmarrë hapin tjetër," tha ai.

Ministri i Jashtëm cek, Tomáš Petříček. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Hungaria ka qenë shteti më i zëshëm kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së. Ajo është i vetmi vend i katërshes së Vinshengradit që kufizon Ballkanin dhe ndan një histori të përbashkët me vendet që dikur ishin pjesë e perandorisë Austro-Hungareze.

Disa zyrtarë të BE kanë deklaruar së fundmi se Hungaria mund të marrë në dorë portofolin e zgjerimit në Komisionin e ardhshëm, për të pasuar politikanin austriak Johannes Hahn.

Deklaratat e fundit të Ministrit të Jashtëm hungarez Peter Szijjarto nuk lënë asnjë pikëpyetje mbi politikën që do të ndjekë Budapesti kur bie fjala tek zgjerimin.

"Është një hipokrizi. Të gjithë thonë se janë të përkushtuar, por kur bie është fjala për të marrë një vendim, ata nuk guxojnë të veprojnë," tha ai në qershor kur u hap kapitulli i fundit i negociatave të Serbisë. "Zgjerimi do të ishte përgjigja më e mirë ndaj tensioneve ekzistuese në rajon. Ne në rajon e dimë saktësisht se sa e rëndësishme është paqja dhe qetësia në rajon", tha Szijjarto.

Që nga viti 2016, qeveria hungareze ka subvencionuar “Wizz Air”, linja e dytë ajrore më e madhe në Evropë, të nisë fluturime të drejtpërdrejta nga disa kryeqytete në Ballkanit me Budapestin. Në mars, Budapesti krijoi një fond prej 30 milionë eurosh për të mbështetur investimet hungareze në rajon.

Angela Merkel dhe Victor Orban. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të katërshes së Vishegradit e ka cilësuar po ashtu pranimit të Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e mandatit të saj.

Në sytë e këtyre vendeve, anëtarësimi në BE mund t'i fuqizojë vendet e Ballkanit të veprojnë si barrierë më e mirë kundër emigrantëve nga Afrika dhe Azia që përpiqen të hyjnë në BE. Anëtarësimi i rajonit do të ndalte gjithashtu ndikimin në rritje të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, të cilat mund të përkeqësojnë tensionet sociale, politike dhe etnike në Ballkan. Dhe mbi të gjitha anëtarësimi i rajonit mund të ndihmojë në prishjen e unazave të krimit të organizuar që Ballkani prej vitesh eksportonte në pjesën tjetër të Evropës.

"Katershja e Vinshengradit ka rritur prej kohësh bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor," tha Tomas Dopita, studiues i lartë në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë. "Rezultati më i dukshëm i këtij bashkëpunimi ishte krijimi i një fondi të posaçëm për Ballkanin Perëndimor”.

"Pa integrimin e plotë të Ballkanit, me traditat e tyre të bukura dhe përzierjen kulturore, Europa nuk do të fillojë të marrë frymë plotësisht," tha Presidenti polak Andrzej Duda gjatë një samiti të mbajtur në Poznan.

Andrzej Duda dhe presidenti Ilir Meta. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Polonia duket se është kthyer në mbështetësen më të madhe të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë periudhë të trazuar politike në vendin tonë duke bindur 13 vende anëtarë të BE për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo u ka kërkuar ne qershor të gjitha vendeve anëtarë të argumentojnë me shkrim nëse janë pro ose kundër hapjes së negociatave, duke arritur të marrë dritën jeshile nga 13 prej tyre.

Falë kësaj nisme nga Varshava, mes shteteve të Bashkimit Europian po qarkullon një dokument joformal, në të cilin kërkohet konfirmimi me shkrim që zgjerimi në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë një alternativë e besueshme. Dokumenti kërkon me ngulm që BE-ja të përmbushë angazhimin për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Sipas këtij drafti, për rajonin nuk ekziston “Plani B”, përpos anëtarësimit në BE.

Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, presidenti polak Andrzej Duda u tha gazetarëve se “Europa ka nevojë për Europën Juglindore, ndërsa Europa Juglindore ka nevojë për Ballkanin”. Ai i bëri BE-së thirrje nga kryeqyteti shqiptar të mbajë derën e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në një konferencën e shtypit të mbajtur gjatë samitit të vendeve të Europës Juglindore në Tiranë më 8 dhe 9 maj, Andrzej Duda tha se ishte i bindur se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin pjesë e BE nëse atyre u jepet mbështetja e duhur
Ai gjithashtu theksoi se zgjerimi i BE duhet të konsiderohet po aq i rëndësishëm sa Brexit në agjendën e ardhshme të KE-së dhe institucioneve të tjera të BE. “Këto probleme janë të një rëndësie të njëjtë,” tha ai.

Duda theksoi qëllimi i BE-së duhet ta jetë zgjerimi dhe forcimi i unionit si dhe kthimi i BE-së në një lider global. “Arritja e këtij qëllimi do të jetë e mundur vetëm nëse BE-ja zgjerohet”, deklaroi kreu i shtetit polak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë