Ekonomi

Vendet kapitaliste kanë nivelet më të larta të sigurisë ndaj Covid-19

Nga Rainer Zitelmann – A paraqet kriza e koronës dështimet e kapitalizmit? Një krahasim i dy renditjeve të fundit konfirmon se e kundërta është e vërtetë.

Të majtët në mbarë botën kanë qenë shumë të zënë kohët e fundit në përpjekjet e tyre për të atribuar krizën e pandemisë, si një dështim të kapitalizmit. Indeksi i Lirisë Ekonomike, i cili është përpiluar çdo vit që nga 1995 nga Fondacioni Amerikan i trashëgimisë, mat lirinë ekonomike të 180 vendeve. Sipas sociologut gjerman Erich Ëeede, indeksi gjithashtu mund të konsiderohet si një “shkallë globale e kapitalizmit”.

Deep Knowledge Group, një konsorcium i organizatave tregtare dhe jofitimprurëse, sapo ka publikuar një përmbledhje të përkohshme të masave për të luftuar pandeminë COVID-19, duke përfshirë edhe një “Renditje të Vendeve më të Sigurta” të 40 vendeve që po bëjnë punën më të mirë të mbrojtjes së qytetarëve të tyre kundër koronavirusit.

Sigurisht, është ende shumë herët për të bërë një vlerësim të përgjithshëm. Sidoqoftë, bilanci i përkohshëm i Deep Knoëledge zbulon se vendet që bëjnë punën më të mirë për të mbrojtur qytetarët e tyre janë të gjitha ndër vendet më kapitaliste në botë. Sipas indeksit të fondacionit Heritage, vetëm gjashtë (3.3%) nga 180 vende të botës fituan rezultate shumë të larta të lirisë ekonomike, duke i vendosur ato në radhët e “ekonomikisht të lira”. Me përjashtim të Irlandës, të gjitha (!) këto vendeve ekonomikisht të lira, shumë kapitaliste gjithashtu renditen në Top 11 në Renditjen e Vendeve të Sigurita ndaj koronavirusit, që mbrojnë më së miri qytetarët e tyre gjatë pandemisë.

Këtu janë gjashtë vendet më të lira ekonomikisht në botë sipas indeksit të fondacionit Heritage. Rezultatet në kllapa paraqesin renditjen e të njëjtit vend në 40 vendet kryesore të sigurisë COVID-19:

1.   Singapor (8)

2.   Hong Kong (10)

3.   Zelandë e Re (6)

4.   Australi (4)

5.   Zvicër (11)

6.   Irlandë (34)

I njëjti krahasim në të kundërt është po aq evidentues: dhjetë vendet e para në renditjen e Vendeve të Sigurisë COVID-19 (me përjashtim të Kinës) janë të gjitha në mesin e 30 vendeve më të lira ekonomikisht në renditjen e Fondacionit Heritage. Pra, 90% e vendeve që mbrojnë më së miri qytetarët e tyre nga koronavirusi gjithashtu i përkasin grupit të vogël prej 17% të vendeve me lirinë më të fortë kapitaliste.

Këtu janë dhjetë vendet e para në renditjen e Vendeve të Sigurisë COVID-19. Shifrat në kllapa paraqesin renditjen e të njëjtit vend në renditjen e Fondacionit Heritage, në vendet më të lira ekonomikisht në botë:

1.   Izrael (26)

2.   Gjermani (27)

3.   Korea e Jugut (25)

4.   Australi (4)

5.   Kinë (103)

6.   Zealandë e Re (3)

7.   Taivan (11)

8.   Singapor (1)

9.   Japoni (30)

10. Hong Kong (2)

Sigurisht, nuk ka asnjë lidhje 100% midis lirisë ekonomike dhe mbrojtjes kundër koronavirusit. Mbretëria e Bashkuar, për shembull, renditet në vendin e 7-të në indeksin e Fondacionit Heritage të vendeve ekonomikisht më të lira, por nuk është ndër 40 vendet që ofron mbrojtjen më të mirë ndaj COVID-19 për qytetarët e tyre. Në Mbretërinë e Bashkuar, si në Shtetet e Bashkuara, qeveria kaloi shumë gjatë në krahasim me vendet e tjera duke nënvlerësuar problemin, me rezultate korresponduese dhe tragjike.

Përpos faktit se Renditja e Vendeve të Sigurisë COVID-19 nuk është asgjë më shumë se një vlerësim i përkohshëm dhe sigurisht që ka hapësirë ​​për të argumentuar për renditjen e saktë të një vendi apo të një tjetri, një gjë është e qartë: renditja nuk bën asgjë për të miratuar ose mbështetur konceptin që “tregu i lirë” ose “kapitalizmi” janë fajtorë për krizën e koronavirusit, një tezë që intelektualët e krahut të majtë kanë advokuar në artikuj të shumtë kohët e fundit.

Po vendet në fund të Indeksit të Lirisë Ekonomike? Vende të tilla si Venezuela dhe Koreja e Veriut, të cilat paraqesin pjesën e pasme të renditjes së fondacionit Heritage, nuk janë askund afër Renditjes së Vendeve të Sigurisë më të Lartë 40 COVID-19. Koreja e Veriut renditet në fund të indeksit të fondacionit Heritage dhe kjo diktaturë nuk ka një rast të vetëm zyrtar të të diagnostifikuar me koronavirus, ashtu siç nuk ka krim dhe pa papunësi, nuk ka uri dhe nuk ka varfëri.

Venezuela renditet e dyta nga fundi (179) në Indeksin e Lirisë Ekonomike. “Sistemi ynë shëndetësor është më i keq se ai i Haitit,” paralajmëron José Félix Oletta, ish-ministri i shëndetësisë Venezuelës. Qeveria ka caktuar 46 spitale për trajtimin e pacientëve COVID-19, katër prej të cilëve ndodhen në kryeqytetin Caracas. “Por ekzistojnë vetëm 206 shtretër të kujdesit intensiv në këto 46 spitale dhe vetëm 102 respiratorë. Kjo është më pak se 10% e pajisjeve të nevojshme për të përballuar kërkesën e parashikuar sipas parashikimeve mesatare, “shpjegon i shqetësuar Oletta për revistën gjermane Der Spiegel. Përveç kësaj, energjia elektrike, uji, ilaçet dhe pajisjet mbrojtëse janë të pakta, shton mjeku dhe themeluesi i Alianza Venezolana por la Salud (Aleanca Venezuelane për Shëndetin), një qendër monitorimi shëndetësor dhe epidemik./Forbes/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë