Trashëgimi

Vendbanimi 7500-vjeçar në Lin të Pogradecit, më i madhi në Ballkan, shtrihet edhe në liqen

Nga Gazeta 'Si' - Vendbanimi prehistorik 7500-vjeçar që është zbuluar nga gërmimet arkeologjike në Lin të Pogradecit është produket i një projekti disavjeçar të Institutit të Arkeologjisë. Drejtuesi shkencor i projektit, arkeologu nënujor Adrian Anastasi i tregoi për Gazetës “Si” rezultatet e kësaj fushate dhe çfarë pritet nga analiza e mëtejshme laboratorike e të dhënave në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Sipas tij, vendbanimi 7500-vjeçar shtrihet në formën e një elipsi, ku pjesa gjatësore e perimetrit të tij përkon me vijën bregliqenore dhe ka një gjatësi prej rreth 850 m.

“Sipërfaqja e vendbanimit prehistorik, me përafërsi vlerësohet të jetë rreth 32-35.000 m2. Kjo e dhënë e rendit vendbanimin palafit prehistorik ‘LIN 3’, më të madhin në Ballkan. Nga datimet e mëparshme të palafiteve kampionë me 14-C, ka rezultuar që siti “LIN 3” të datojë 5600-5300 para Krishtit. Nga kuadratet e sondazheve nën ujë, datimi me C14 është rreth 7500 vjet përpara”, shprehet arkeologu për Gazetën “Si”.

Ai shprehet se këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, ku u punua nën ujë, është parashikuar që për një periudhë pesëjavore, të kryhen sondazhe në tokë me qëllim identifikimin e shtrirjes së vendbanimit prehistorik në hapësirën bregliqenore.

“Ekipi përbëhet nga arkeologë dhe studentë të arkeologjisë nga Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Bernës, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Lyon 2”, shprehet arkeologu për Gazetën “Si”.

Arkeologu thotë se vendbanimi palafit është më i madhi në Ballkan me një shtrirje në tokë dhe në liqen.

“Nga sondazhet e këtij viti, në kuadratin 1 dhe 2, u zbulua një sasi lënde drusore, e cila i përkiste platformës së vendbanimit dhe me braktisjen e tij pjesë të saj janë depozituar edhe në breg. Nga të dhënat paraprake, kuptuam që kuadratet 1 dhe 2, të cilat ndodhen në jug të vendbanimit, i përkisnin bregliqenit të asaj periudhe. Pra, ky vendbanim nuk shtrihej përtej këtyre sondazheve. Elementët e drurit, duke qenë se ishin pjesë e platformës, na ndihmojnë të kuptojmë teknikat e lidhjeve të tyre në arkitekturën e ndërtimit. Këto të dhëna janë pjesë e studimit të mëtejshëm dhe merren për herë të parë në ndërtimet palafite në vendin tonë. Sondazhet 3 dhe 4, ndodhen mbi vendbanim dhe po punohet në dokumentimin e shtresës kulturore”, shprehet arkeologu, ndërsa shton se “krahas kësaj, u kuptua që perimetri gjatësor i vendbanimit në këtë pozicion, zhvillohet më në brendësi të tokës”.

Ndërkohë gjatë gërmimeve që kanë nisur në fillim të gushtit dhe mbyllen këtë të shtunë, arkeologu thotë se po nxirren objekte të ndryshme, të cilat, kryesisht janë vegla pune prej stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente kocke kafshësh dhe janë marrë kampione sedimentologjike për analiza në laboratorë.

“Gjithashtu po dalin pjesë nga dyshemeja e vendbanimit si dhe po identifikohen palafitet. Edhe në këtë rast, do të merren kampionë nga palafitet për analiza dendrokronologjike”.

Sipas arkeologut Anastasi, të dhënat e fushatës së këtij viti janë shumë premtuese dhe do të shërbejnë për të ndërtuar një strategji pune sa më të përshtatshme dhe objektive në programimin e fushatës për vitin 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë