Gazeta “SI” – Nga Lini i Pogradecit, në Luginën e Memaliajt e deri në Bushat e Koman, gërmimet arkeologjike janë në një fazë zbulimesh të herëpashershme të materialeve arkelogjike por dhe vendbanimeve të hershme. Me zbulimin e vendbanimit më të madh prehistorik në Shqipëri, konkretisht në Lin të Pogradecit , vërtetohet se Shqipëria është vendi i parë i neolitizimit në Ballkan. Në një intervistë për GazetaSi.al drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Z. Adem Bunguri flet për ekspeditën e rëndësishmë e cila zbuloi këtë vendbanim me sipërfaqe 10 hektarë.
“Një nga ekspeditat tona kryesore në kuadër të neolitizimit të hershëm të vendit është ajo e Linit ku gërmimet kanë arritur rezultate shumë të mira. Lini lidhet me zbulimin e një vendbanimi të madh palifitik nën ujë pra nën liqenin e Pogradecit i cili është vendbanimi palifitik më i madh në Shqipëri me një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Gjej rastin të falënderoj palën zvicerane e cila prej vitesh po bashkëpunon me ne në zbulimin e këtij vendbanimi prehistorik shumë të rëndësishëm i cili sipas gërmimeve tona zbulon se Shqipëria është vendi i parë i neolitizimit në Ballkan, pra procesi i përhapjes së neolitit në terren” thotë Bunguri

Fakti që ky vendbanim i zbuluar është i tëri nën ujë, e bën të vështirë ekspeditën por siç e thekson ai, bashkëpunimi me ekipin zvicerian të Universitetit të Bernës ka mundësuar mjetet e duhura llogjistike.
“ Aty janë gjetur disa shtylla palafiti të ngulura në tokë të cilat nëpërmjet laboratorit të Universitetit të Bernës po bëhet e mundur edhe përcaktimi i saktë i datimit të tyre. ”
Krahas vendbanimit në Lin, janë zbuluar dhe dy stacione të tjera të periudhës së Neolitit.
“E rëndësishme të theksohet është se në Shqipëri kemi mbi 20 vendbanime të Neolitit të hershëm. Gjithashtu në luginën e Memaliajt, falë një punë të rëndësishme të survejimit, është zbuluar një stacion i rëndësishëm Neolitik e po ashtu në Antigonea, konkretisht në Luginën e Drinos” thotë ai

Ai thekson se ekspeditat kërkimore aktualisht janë të përqëndruara në 29 stacione të ndryshme e gjithashtu shpjegon se krahas eksplorimit të vendbanimeve prehistorike, kërkimet dhe gërmimet vazhdojnë po ashtu dhe në qytetet ilire.
“Vazhdojnë kërkimet edhe në qytetet ilire, tashmë jo vetëm ato bregdetare si Dyrrahu dhe Apollonia ku me ndihmën e shkollës franceze dhe asaj finlandeze janë të përqëndruara prej kohësh por edhe në qytete të mirëfillta ilire siç janë Amantia, Gurzeza dhe Bushati në veri”
Bunguri thotë se aktualisht janë 16 marrëveshje mes Institutit Arkeologjik Shqiptar dhe shkollave të huaja për eksplorime dhe ekspedita të përbashkëta.
“Të gjitha këto projekte që unë përmenda janë në bashkëpunim me shkollat e huaja ku vlen të përmendet në Bylis me shkollën e Barit, në Bushat me Universitetin e Varshavës. Po ashtu do të veçoja dhe Epirin, si Butrinti me Universitetin e Bolonjës si dhe në Çukë të Ajtoit , një qytezë ilire e ngritur në majën e një kodre në afërsi të Butrintit, ku kërkimet kryhen në bashkëpunim me Universitetin “La sapienza të Romës”

Vështirësi në punën e mbikqyrjes por edhe atë të gërmimeve kanë krijuar ndërtimet e shumta pa kriter, të cilat jo rrallë herë kanë mbuluar nën vete stacione të rëndësishme arkeologjike. Bunguri cek edhe qytetet më të rrezikuara në këtë aspekt.
“Qytetet më të rrezikuara nga ndërtimet e shumta janë Durrësi dhe Butrinti. Sidomos për Durrësin kemi pasur gjithmonë shqetësime jo vetëm sot por në që në vitet 60-të ku ndërtimet kanë qënë gjithmonë problem për arkelogjinë. Durrësi si qytet port me rëndësi shumë të madhe në përiudhën romake dhe më pas bizantine ka pafund objekte arkeologjike të cilat jo gjithmonë janë vlerësuar dhe trajtuar si duhet. Kemi këtu rastin e Velierës, një ndërtim i panevojshëm mbi një vendbanim ilir por dhe pallatin e ndërtuar mbi kolektorin e periudhës së bizantit i cili në një vend të zhvilluar nuk do të ishte lejuar në mënyrë kategorike”
Ai zbulon se ka nisur procesi i shtetëzimit për banesat që ndodhen mbi pjesën e pazbuluar të amfitetatrit të Durrësit e po ashtu për mozaikun e Orfeut.
“Ka nisur procesi i shtetëzimit për banesat private të cilat ndodhen mbi pjesën e pazbuluar të amfiteatrit të Durrësit në mënyrë që të zbulohet e gjithë hapësira dhe të jetë e aksesueshme dhe e vizitueshme. Gjithashtu nën një banesë në qytetin e Durrësit, ruhet mozaiku i Orfeut, një personazh i botës antike të shekullit 7-të, mozaik i cili është në kushte të mjerueshme, me lagështirë dhe në rrezik. Por me kërkesën tonë dhe ndërhyrjen e instancave shtetërore është vendosur të shtetëzohet banesa , të restaurohet dhe të ruhet si objekt i rëndësisë së veçantë”
Me ndryshimin e funksionimit të Akademisë së Shkencave e cila prej vitit të shkuar tashmë ka në strukturë edhe Institutin arkeologjik, vëmendja sipas Bungurit është shtuar.

“Në vitin 2024 me ndryshimin e strukturës dhe kalimin nën strukturën e Akademisë së shkencës u rekrutua dhe stafi i ri i Institutit tonë sipas kritereve të forta akademike, me konkurs të hapur. U pranuan tre anëtarë të rinj të duke e çuar në 29 numrin e kërkuesve shkencorë pranë Institutit arkeologjik ku shumica prej tyre janë doktor shkencash dhe profesor të asociuar të cilët kryejnë kërkime në tërren në bazë të strategjive të mirëpërcaktuara nga Këshilli shkencor i Akademisë”
Ai thekson se me këtë ndryshim strukture, është shtuar edhe ndihma financiare në shërbim të arkeologjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.