Editorial

Vëllai nga Prishtina nuk duhet të bëhet Kurban për dasmën ballkanike

albini dhe rama

Për sa kohë Kosova nuk do të trajtohet me dinjitetin e një shteti të pavarur, pjesëmarrja e saj në Ballkanin e Hapur duket një vendim i pamundur politik tani për tani dhe ftesa serbe e pasinqertë.

Projekti gjithsesi ka avancuar numerikisht si për sa i përket mundësisë së shtimit të anëtarëve, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, ashtu dhe me marrëveshje të reja. Kosova mund të jetë mbrapa në kohë për të kapur të mirat e mundshme nga Ballkani i Hapur, por mund të rikuperojë shpejt nëse gjendet një shteg tjetër qasjeje ndaj saj, i ndryshëm nga ai i sotmi.

Ka disa mënyra të cilat duhet të sinkronizohen njëherësh.

Më së pari, diskursi politik sado i moderuar dhe vëllazëror, e mbart ende revoltën e konflikteve të shkuara e të përgjakshme. Politika mjaftoi sa për të shtruar rrugën e Ballkanit të Hapur, ndërsa tani duhet të tërhiqet. Liderët duhen të flasin më shumë për ekonominë dhe mirëqenien. Nuk kanë pse të hyjnë më në tryezën ballkanike me menu me “shije ruse”, “agresion lindor”, “qëllime të Kinës”, etj. Sigurisht për sa kohë ka marrëveshje mes shteteve dhe megjithëse Ballkani i Hapur nuk ka institucione ashtu si BE, filli politik nuk do të mungojë, por ai duhet të jetë sa më i hollë dhe përbashkues. Liderët tani duhet t’i drejtohen publikut ballkanas për përftimet. Mund edhe të ketë pakënaqësi dhe mospajtim për çështjet ekonomike, por gjithsesi ato janë më të shëndetshme sesa oferta politike, sado krahëhapur të jetë ajo.

Për refuzimin e Kosovës, prej disave më së pari bëhet fajtor kryeministri Albin Kurti. “Megjithëse nuk është ai përfaqësuesi i vetëm politik nga Prishtina që ka refuzuar Ballkanin e Hapur, ai duke qenë se ka luksin ekskluziv të aktivizojë ‘Po’-në dhe ‘Jo’-në kosovare, është anatemuar... Ai vuan nga ideja fikse se vendimet në botën shqiptare duhet t’i marrë ai dhe fakti që Shqipëria e ka marrë këtë vendim para tij, e ka bërë atë armik të kësaj nisme”, shkruan Mero Baze, gazeta e të cilit noton në spektrin e së majtës qeverisëse në Shqipëri.

Sikur pengesa e vetme të ishte zoti Kurti, detyra e Ramës dhe rruga për të afruar Kosovën në Ballkanin e Hapur do të ishte më e lehtë dhe më e qartë. Në Kosovë dhe në Shqipëri pak qytetarë dinë për leverdinë e projektit.

Nuk është në dëshirë, por detyrim kushtetues që kryeministri i Shqipërisë të kujdeset për shqiptarët kudo që janë. Nëse zoti Rama është thellësisht i bindur se Ballkani i Hapur është një e mirë edhe për shqiptarët e Kosovës, ai e ka detyrim të gjejë rrugët e  komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun shqiptar aty për t’i treguar bindshëm se cilat janë përfitimet. Megjithëse kanalet politike për këtë çështje duken shumë të mbyllura, ai ka gjithë mundësitë të shpjegojë një për një, për çdo marrëveshje, për çdo detaj, për çdo kosovar, përfitimet. Nuk është i detyruar të ketë Kurtin në krah nëse do të kërkojë të flasë me Kosovën. Meqë Albini nuk bindet, le t’u japë argumente dhe mundësi kosovarëve të gjykojnë vetë se sa i mirë është Ballkani i Hapur. Ata më pas, përmes votës, vendosin për fatin e Albinit e për rrjedhojë edhe të projektit.

Nga ana tjetër, për të bërë të mundur pjesëmarrjen e Kosovës në Ballkanin e Hapur duhet ndryshuar edhe qasja ndaj mekanizmave dhe negociatorëve. Një model ekziston. Është modeli i Brukselit i përdorur për të krijuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse Beogradi nuk e njeh Kosovën të pavarur, ky pozicion nuk i ka penguar palët të afrohen në tryeza të përbashkëta për  marrëveshje konkrete ekonomike.

Ballkani i Hapur është një formë e ngjashme si ngjizja e BE-së, ndaj edhe modeli i Unionit për të ulur palët në marrëveshje nuk ka pse të mos funksionojë edhe te Ballkani i Hapur.

Megjithëse dialogu ka pasur pengesa dhe për momentin ka stopuar, ai është më mirë sesa varianti për të mos u ulur në tryezë. Por që edhe Kosova të ketë një vend me dinjitet në Ballkanin pa kufi duhet një ndërmjetës i besueshëm dhe që jep garanci, që të paktën për shqiptarët, janë BE dhe SHBA. Këtu liderët e Ballkanit duhet të pranojnë të heqin dorë nga lavdia e ideatorit dhe të nisin përulësisht një proces me ide negociatash për çdo rast dhe jo t’i harxhojnë energjitë, duke konsumuar ende politikë. Me një prezencë më të madhe dhe më mbështetëse të BE-së dhe SHBA, Kosova do të fitonte garancitë e munguara deri tani për të qenë me dinjitet dhe përfituese e barabartë e të mirave që po mundohen të serviren në tryezën ballkanike.

Nëse Tirana zyrtare është e bindur thellësisht se Ballkani i Hapur është një e mirë e madhe dhe për të gjithë shqiptarët, nuk duhet të heqë dorë nga mundësitë për të tërhequr në këtë projekt edhe Kosovën, qoftë edhe pjesërisht, rasti pas rasti, marrëveshje pas marrëveshjeje. 

Zoti Rama në takimin e fundit për të shpjeguar përmes figurave letrare se pse festa europiane në Ballkan nuk ka nisur, tha se nusja (BE) nuk pranon të vijë në dasmë dhe se dhëndri (secili vend i Ballkanit) ka mbetur në derë. Por meqë rajoni po vuan me të drejtë për një dasmë, pasi ka harxhuar kohë dhe gjak për të, nuk do të thotë se dhëndurët duhet të lidhen mes vetes në festën e improvizuar të Ballkanit të Hapur. Ata mund nuk mund të garantojnë dot trashëgiminë e kësaj lidhjeje. Ndaj

dasma e do dhe fisin, e do dhe nusen. Vëllait të drobitur nga plagët ende të hapura në Prishtinë duhet t’i japin mundësi të fitojë fuqitë që me dinjitet, së bashku, të heqim vallen e Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë