Gazeta Si – Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, ka dëshmuar në ambientet e SPAK për rreth 4 orë si person në dijeni të hetimeve.
Para mediave, ai u shpreh: “Erdha vullnetarisht për të shprehur bashkëpunimin tim me institucionin”.
Sipas burimeve paraprake, ai u pyet nga prokurorët në cilësinë e personit që ka dijeni mbi hetimin e nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i arrestuar më 10 shkurt 2025 nën akuzat për korrupsion, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Sipas materialeve hetimore, emri i Arbër Veliajt përmendet në disa episode të dosjes së SPAK që lidhen me lëvizje financiare të dyshimta të vëllait dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, të cilat ngrejnë dyshime për përfshirje në pastrim parash.
Dyshohet se Arbër Veliaj ka nënshkruar një kontratë prej 300 mijë eurosh për të siguruar shërbime këshillimi ligjor për Erion Veliaj nga një studio amerikane, ndërkohë që ndaj tij nuk është ngritur ende ndonjë akuzë.
Materialet e SPAK tregojnë gjithashtu se ai ka qenë i përfshirë në menaxhimin e fushatës mediatike dhe në koordinimin e përfaqësuesve ligjorë ndërkombëtarë gjatë kohës që Erion Veliaj ndodhej në paraburgim.
Hetimet kanë evidentuar raportime financiare mes kompanisë së Arbër Veliajt, “Gogel Shpk”, dhe organizatave të kontrolluara nga Ajola Xoxe, përfshirë shuma me vlera të konsiderueshme që SPAK i konsideron të dyshimta ose fiktive.
Vetëm pak javë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e Arbër Veliajt, për kontrollet e kryera nga SPAK në dhjetor 2024, në banesat e tij apo biznese.
Ndërkohë, më 25 maj, Gjykata e Lartë pranoi rekursin e paraqitur nga Arbër Veliaj dhe vendosi që çështja të rikthehej për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, tek i njëjti trup gjykues.
Më 23 korrik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i arrestuar në 10 shkurt 2025, u shpall zyrtarisht i pandehur për disa akuza të rënda, ndërsa pak ditë më parë i ka drejtuar GJKKO-së kërkesën për shpalljen e pavlefshmërisë së hetimeve të kryera nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



