Drejtësia

Veliaj përdori celularin e një polici gjatë rrugës për në GJKKO, SPAK merr nën hetim efektivët

Gazeta Si – SPAK ka marrë nën hetim policët e burgjeve që transferuan kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliajn nga Durrësi në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Sipas Top-Channel, duket se Veliaj ka përdorur telefonin e një polici dhe ka bërë telefonata gjatë kohës që e ka shoqëruar.

Gjatë marrjes në pyetje, oficeri i Burgjeve e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka thënë se e bëri nga frika.

Nuk dihet kë ka telefonuar Veliaj dhe cila ka qenë biseda, e ndaluar rreptësisht në ligj për një të paraburgosur pa aprovimin përkatës të autoriteteve.

Disa ditë ditë më parë, pas dy seancave maratonë, Apeli i GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg” për Veliajn, ndërsa ndryshoi masën për njërin prej biznesmenëve nën hetim, Elman Abule, për të cilin nga “arrest me burg”, u vendos në “arrest shtëpie”.

Ndaj Veliajt rëndojnë akuzat për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste. Këtyre akuzave iu shtua edhe një tjetër dosje e SPAK, për të cilën prokurorët thanë se kanë përdorur përgjimet e siguruara në qelinë e kryebashkiakut, nga ku ky i fundit dyshohet se ka dhënë direktiva ndaj mediave për sulme ndaj prokurorëve që e hetojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë