Drejtësia

Veliaj padit institucionin e Presidentit dhe prokurorin e dosjes së tij, Olsi Dado

Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar sot në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të SPAK, Olsi Dado, i cili prej më shumë se një viti po heton dosjen “Veliaj”.

Ai kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.

Sipas padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit, pa shkollën përkatëse të Magjistraturës.

Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të kryera ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mbështeten mbi një akt emërimi ‘nul ab initio’, duke sjellë pasoja të rënda ndaj Bashkisë së Tiranës, Republikës së Shqipërisë, rendit kushtetues, institucioneve, familjes dhe personit.

Olsi Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Ai është prokurori që ka në hetim dosjen ndaj kryebashkiakut Veliaj, bashkëshortes së tij dhe disa personave të tjerë.

“Nga provat e depozituara rezulton se z. Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit apo prokurorit dhe nuk ka mbajtur asnjë nga funksionet e posaçme të renditura në nenin 18 të ligjit nr. 8737. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë dhe nuk mund të përfshihet në asnjë nga kategoritë ligjore të përcaktuara si kritere të posaçme për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në padi.

Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai ndodhet në qeli që prej datës 10 shkurt 2025, ndërsa bashkëshortja ee tij, Ajola Xoxa është me masë sigurimi “detyrim paraqitje” për të njëjtat akuza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë