Politike

Veliaj padi për shpifje ndaj Berishës në GJKKO: Në 19 maj do shoqërohet nga policia për seancën e radhës

Gazeta Si – Kreu i Bashkisë së Tiranës, njeherësh kandidati i PS-së në zgjedhjet lokale të 14 majit, Erion Veliaj, ishte këtë të hënë në GJKKO për seancën e parë të gjyqit me kryedemokratin Sali Berisha, të cilin e ka paditur për shpifje për akuzat e “pastrimit të parave” të Iranit.

Pas përfundimit të seancës së parë, Veliaj u shpreh se Sali Berisha nuk është paraqitur në sallën e gjyqit.

Kryebashkiaku i Tiranës, tha se GJKKO ka vendosur që në datën 19 maj do të zhvillohet seanca e radhës, ku sipas tij, Berisha e ka për detyrim të vijë për t’u përballur në gjykatë i shoqëruar edhe nga policia nëse do të jetë e nevojshme.

“Sot isha unë nismëtari i një akuze ndaj Berishës, i cili ka mbi 30 vjet që mallkon, por ka një limit. Këto historitë me iranianë, Berisha duhet t’i provojë në gjykatë. Gjykata vendosi që në 19 maj, Sali Berisha të shoqërohet nga policia për shoqërim të detyrueshëm në Gjykatë”.

Sipas Veliajt, Berisha është “një frikacak dhe një burracak” që nuk e ka parë kurrë.

“Policia do të duhet ta bëjë detyrën dhe ta sjellë forcërisht Berishën. Akuza të padenja që e ka përdorur prezencën e vet për të shkatërruar normat dhe vlerat. 1 orë e kam për t’u përballur me Berishën. Ai duhet të vijë në sallë të gjyqit. Do të vijë gjithmonë, e kemi sqaruar Prokurorinë, unë nuk trembem që të përballem në gjykatë. Mënyra më e mirë për të bërë politikë, është të thuash të vërtetën”, tha Veliaj.

Disa ditë më parë, kryedemokrati Berisha deklaroi se “Veliaj pastron paratë e Gardës Revolucionare të Iranit”, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.

Po ashtu, Berisha hodhi akuza në drejtim të Veliajt, duke thënë se “ai ka bërë udhëtime sekrete në Iran dhe se janë shqetësuar vendet partnere”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë