Futboll

Veliaj mund Dukën, Gjykata e Tiranës njeh Prodanin kryetar të Shoqatës Rajonale

Gazeta Si – Kthesë e fortë sa u takon zhvillimeve në prag të zgjedhjeve për presidentin e FSHF-së, që zhvillohen më 2 mars. Gjykata e Tiranës ka vendosur sot të regjistrojë Eduard Prodanin si kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë, duke hedhur poshtë vendimin e asamblesë së zhvilluar disa ditë më parë, që nxori fitues Krenar Alimehmetin.

Në atë asamble të zhvilluar në ambientet e FSHF-së, Eduard Prodani la sallën dhe akuzoi për manipulim të votimit, ndërsa sot Gjykata e Tiranës e ka regjistruar atë si kreun e ri të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Një vendim që i jep të drejtë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, prej kohësh në një luftë të hapur me presidentin aktual të FSHF-së, Armand Duka.

Eduard Prodani, i njohur sot nga Gjykata si kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë. Gazeta Si, 10 shkurt 2022

Mund të konsiderohet ‘fitorja e parë’ e Veliajt ndaj Dukës ky vendim i Gjykatës së Tiranës, që ka njohur asamblenë e thirrur nga kryebashkiaku i kryeqytetit. Shoqata Rajonale e Futbollit të Tiranës ka numrin më të madh të delegatëve që votojnë në zgjedhjet e 2 marsit.

Për t’u theksuar është fakti se thuajse në të gjitha asambletë e Shoqatave Rajonale në vend ka pasur akuza dhe polemika për trukim të votimit për përcaktimin e delegatëve. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës i jep një kthesë të fortë situatës dhe tani mbetet të shihet se çfarë hapash do të ndjekë FSHF-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë